Dibër, dëborë dhe akull në akset rrugore

06/03/2015 00:00

Rikthehen reshjet e dëborës, të shoqëruara edhe me erë të fortë përgjatë natës dhe mëngjesit të së premtes, në Qarkun e Dibrës.

Trashësia e dëborës në zonat urbane ka arritur deri në 50 cm., ndërsa në zona malore deri në gjysëm metër, si në komunat e rrethit të Dibrës: Lurë, Kala e Dodës, Luzni, Sllovë, në komunat e Bulqizës: Ostren, Trebisht, Martanesh, Zerqan dhe Shupenzë, si dhe ato të Matit; Xibër e Macukull. Raportohet se shumë fshatra të këtyre komunave janë të bllokuar, pasi niveli i borës së rënë ka arritur deri në 60 cm.

Ndërkaq, aksi Qafë Bualli-Krastë kalohet me vështirësi nga automjetet, ndaj rekomandohet përdorimi i zinxhirëve. Gjithashtu, vështirësi në qarkullim paraqet edhe rruga Bulqizë-Peshkopi, Bulqizë-Zona D ku transportohen minatorët, Ura e Çerenecit-Librazhd etj, për shkak të borës që sjell era e fortë në këto segmente.

Burime policore bënë të ditur se kanë shtuar kontrollet për lëvizjen e automjeteve përgjatë gjithë natës dhe ditës së premte dhe drejtuesve të automjeteve u është rekomanduar përdorimi i zinxhirëve. Për manaxhimin e situatës, Drejtoria e Rrugëve dhe Policia Rrugore njoftuan marrjen e masave për të mundësuar lëvizjen e automjeteve në akset problematike.

Top Channel