OSHEE, 67 punonjës abuzuan me detyrën

06/03/2015 00:00

Njësia Operacionale Speciale (NJOS) pranë Task Forcës për energjinë, ka
konstatuar një sërë shkeljesh të kryera nga punonjës të Operatorit të
Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, pas kontrolleve të ushtruara javët e fundit, Njësia Operacionale i ka kërkuar Operatorit të Shpërndarjes marrjen e masave për 67 punonjës, të cilët janë kapur me shkelje dhe abuzim me detyrën. Pas kërkesës së NJOS, nga ana e OSHEE-së janë marrë masat përkatëse që variojnë, sipas rastit nga vërejtja deri tek pushimi nga puna dhe ndjekja penale për faturistë dhe elektriçistë.

Në disa raste, është konstatuar se, këta punonjës të OSHEE-së kanë toleruar konsumatorët të furnizohen me energji pa kontratë, nëpërmjet linjave të dyta si dhe me matësa e kabllo jashtë kushteve teknike.

Në zona të caktuara ku ushtrojnë detyrën këta punonjës, janë konstatuar dhe më pas verifikuar nga laboratori i certifikuar 3G, ndërhyrje në matësat e energjisë duke lejuar abonentët të abuzojnë me energjinë elektrike, sipas të njëjtave burime.

Mësohet se, Njësia Operacionale Speciale ka evidentuar edhe raste abuzimi ku punonjës të OSHEE-së nuk kanë raportuar gjendjen e matësit jashtë kushtit teknik, apo kanë faturuar afrofe abonentë që ndërkaq ishin të pajisur me matësa.

Top Channel