Meta: Dhuna ndaj grave dhe fëmijëve nuk mund të tolerohet

06/03/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili mori pjesë në aktivitetin
sensibilizues mbi çështjet e barazisë gjinore me rastin e “Ditës
Portokalli”, se “dhuna ndaj grave dhe fëmijëve nuk mund të tolerohen,
sidomos në një shoqëri si e jona, që familjen e sheh si një bërthamë të
shenjtë”.

Kuvendi i Shqipërisë mirëpriti këtë të premte nxënësit e disa shkollave të mesme në Paskuqan, Shkozë dhe Sauk, të cilët së bashku me studentë dhe pedagogë të Universitetit të Arteve realizuan një aktivitet sensibilizues mbi çështjet e barazisë gjinore dhe mosdiskriminimit, si edhe rolit që duhet të luajnë djemtë dhe burrat si partnerë dhe aleatë për eliminimin e dhunës me bazë gjinore e asaj në familje.

Sikurse njoftuan burime zyrtare nga Kuvendi, të rinjtë zhvilluan aktivitete artistike në pikturë, aktrim dhe grafikë, duke përcjellë mesazhe kundër dhunës, diskriminimit e pabarazive që ekzistojnë në shoqërinë shqiptare sot.

Kryeparlamentari Meta e përgëzoi këtë nismë të tyre dhe theksoi se ky aktivitet, jo vetëm ndihmon fëmijët të përcjellin emocione dhe mbresa sa më të bukura, por njëkohësisht shërben për të ndërgjegjësuar edhe Kuvendin e Shqipërisë se duhet të ketë më shumë në qendër të vëmendjes interesat dhe të ardhmen e tyre.

Gjithashtu, Meta vlerësoi rolin e organizatorëve për vëmendjen që u kushtojnë çështjeve të ndjeshme që prekin fëmijët dhe njëkohësisht përgëzoi në mënyrë të veçantë për përzgjedhjen origjinale të këtij aktiviteti, përmes krijimtarisë dhe artit, duke përcjellë mesazhe mirëkuptimi, bashkëpunimi, solidarite dhe dashurie, kaq të domosdoshme për shoqërinë.

 

“Dua të vlerësoj mbështetjen që u jepet OJQ-ve që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, sidomos në mbrojtjen nga dhuna dhe abuzimet e tjera, duke u krijuar mundësi që të zhvillojnë projekte të rëndësishme në këtë fushë dhe për të sjellin progresin e duhur. Këtu kam parasysh partnerët tanë ndërkombëtarë, si Zyra e Kombeve të Bashkuara këtu në Shqipëri, UNICEF, UNDP, Mbretërinë e Suedisë, OSBE, BE dhe partnerët e tjerë aktivë në këtë fushë. Dua të konfirmoj angazhimin e Kuvendit në mbështetjen e thellimit të bashkëpunimit me të gjitha organizatat që punojnë për të drejtat e fëmijëve, për të rritur kontributin e tyre në procesin e shqyrtimit të projektligjeve dhe për t’i dhënë procesit ligjvënës transparencë dhe një legjitimitet më të madh se sa deri më tani”, tha z. Meta.

 

Ai deklaroi se bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe me grupet e interesit është jo vetëm prioritet i punës së përditshme të Kuvendit, por edhe një pikë e rëndësishme e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit evropian të vendit tonë.

 

“Dhuna ndaj grave dhe fëmijëve sot është një fenomen që nuk duhet të rreshtim së dënuari. Dhuna ndaj grave dhe fëmijëve nuk mund të tolerohen, sidomos në një shoqëri si e jona, që familjen e sheh si një bërthamë të shenjtë, dhe pikërisht kjo kulturë civile duhet promovuar dhe duhet mbrojtur nga të gjithë. Unë gjithnjë kam besuar se fëmijët, të rinjtë dhe familja duhet të jenë në qendër të çdo aksioni të qeverisjes së vendit. Nuk mund të imagjinohet evolucioni i një shoqërie demokratike dhe sociale pa vlerësuar evolucionin e përpjekjeve për fuqizimin e rolit të gruas dhe të fëmijës dhe pa përmbushur detyrimet për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Ndaj duhet që të gjithë institucionet duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre në këtë drejtim”, tha më tej Meta.

 

Sipas tij, fenomeni i dhunës ndaj fëmijëve kërkon përmirësim të mëtejshëm të legjislacionit shqiptar për të shmangur faktorët e tillë, si përjashtimi social, që në kohë të vështira ekonomike merr forma nga më të ndryshmet. Meta siguroi se, Kuvendi do të mbetet një platformë e hapur e çdo diskutimi apo debati që sjell progres në këtë drejtim.

 

“Jemi të ndërgjegjshëm si prindër se të gjithë ne, duhet t’u kushtojmë më shumë kohë fëmijëve, duke filluar nga brenda vetë familjes sonë. Të ndërtosh një shoqëri që dëgjon zërin e fëmijëve, pastërtinë dhe sinqeritetin e tyre do të thotë të ndërtosh një vend të sigurt dhe të hapur ndaj të ardhmes dhe një shoqëri më të drejtë. Është kënaqësi të shoh një energji kaq pozitive që ka mbushur ambientet e Kuvendit tonë, institucioni që sot më tepër se kurrë, ka nevojë për energjitë pozitive të brezit të ri, të fëmijëve, të cilëve u detyrohemi krijimin e kushteve të nevojshme për një të ardhme më të ndritur dhe më të sigurt”, theksoi kreu i Kuvendit.

 

Ndërsa përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, z. David Saunders, theksoi se janë bërë përpjekje që të hiqet diskriminimi nga ligjet apo dhe të miratohen ligje që nxisin barazinë gjinore, por zbatimi i tyre paraqitet ende shumë sfida.

“Shqipëria ka bërë mjaft rrugë deri më tani. Ka nënshkruar të gjithë marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat themelore të njeriut. Janë bërë përpjekje që të hiqet diskriminimi nga ligjet apo dhe të miratohen ligje që nxisin barazinë gjinore dhe për t’ju përgjigjur dhunës ndaj grave. Por fatkeqësisht zbatimi i tyre paraqet ende shumë sfida. Në ditën ndërkombëtare të gruas ne të gjithë duam të sfidojmë veten për një të ardhme më të mirë. Barazia gjinore përfshin fuqizimin e grave për të pasur kontroll mbi të ardhmen e tyre si dhe për të luajtur një rol të rëndësishëm në ekonomi, për të ndërtuar biznese , për të qenë sipërmarrëse,si dhe për të pasur një rol në vendimmarrje”, tha z. Saunders.

Dita Portokalli në Kuvendin e Shqipërisë u organizua nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve në bashkëpunim me Organizatat e Kombeve të Bashkuara (UNDP dhe UN Women) dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ky aktivitet vjen në kuadër të mbylljes së fushatës UNITE: “Bëje botën tënde Portokalli – Trego se je kundër dhunës”, si dhe në mbështetje të lëvizjes globale të solidaritetit për barazi gjinore “HeForShe”.

 

Top Channel