Berisha: S’kam marrë thirrje nga prokuroria. S’kam besim tek hetimi

06/03/2015 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha është përmendur nga ish-aleati i tij Ilir Meta në skenarin e pretenduar për vrasjen e dy deputetëve, por në ditën që i gjithë shteti u thirr në prokurori, Sali Berisha mohoi zërat për përfshirjen e tij në çështjen e hapur nga prokuroria.

“Sali Berisha nuk është thirrur nga prokuroria, nuk ka asnjë ftesë. Në çdo rast që do ta thërrasë, Sali Berisha do të paraqitet sepse këtë e kërkon ligji që e miratoi Berisha në Parlament”, tha ish-kryeministri.

Një ditë më parë me kryetarin e Kuvendit, ish-kryeministri shkëmbeu akuza të ashpra dhe e njëjta atmosferë vazhdoi edhe pas dëshmisë së zotit Meta në prokurori.

“Kësaj radhe harroi Shkëlzenin dhe vijoi marrëzinë e tij për të shitur Tom Doshin si deputet të PD. Nga mënyra sesi zgjodhi për t’u mbrojtur faktoi se është strumbullari i kësaj historie të papreçedentë në një vend të lirë”, theksoi Berisha.

Në këtë histori, më pak i ekspozuar është kryeministri Rama dhe ish-kryeministri Berisha, për shkak të tonit që përdor, duket se po ia ruan këtë pozicion kundërshtarit të tij politik.

“Nëse hetimi i besohet jashtë çdo lloj praktike ligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën Saimirit të partisë, atëherë kryeprokurori e ka çështjen kryekëput të pashpresë. Ndoshta Rama shkoi t’u komunikonte prokurorëve se hetimin e ka bërë Tahiri dhe ju s’keni ç’të hetoni”, tha Berisha.

Fokusi i opozitës për zbardhjen e ngjarjes është tek kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. “Ne duhet të mbështesim prokurorinë dhe hetimin. A besoj unë tek ky hetim? Përsa kohë Meta paraqitet në prokurori si kryetar Parlamenti, hetimi nuk ka shanse. Dhe opozita po kërkon dorëheqjen e tij sepse është i dyshuari kryesor”, shtoi Berisha.

Të enjten e ardhshme, Partia Demokratike ka thirrur qytetarët në protestë për të detyruar kryetarin e Kuvendit Meta të japë dorëheqjen.

Top Channel