“Adidas” shkurton rrjetin në Rusi; shkak kriza

06/03/2015 00:00

Kompania “Adidas” ka vendosur të mbyllë 200 dyqane në Rusi për shkak të situatës së rënduar ekonomike të vendit.

Sanksionet e perëndimit dhe ulja e çmimit të naftës e kanë gjunjëzuar ekonominë ruse, duke shtyrë konsumatorët të mendohen mirë për çdo shpenzim.

Zhvlerësimi i rublës nga ana tjetër, e cila në 6 muaj humbi 40% të vlerës kundrejt dollarit amerikan dhe parashikimet për tkurrje të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 5% këtë vit, kanë çuar në një rritje të shpejtë të inflacionit.

Kompania shumëkombëshe me qendër në Bavari numëron në total rreth 1.000 dyqane në vendin e goditur prej mjerimit ekonomik, siç përshkruhet në mediat e huaja.

“Duke qenë lider i qartë i tregut, jemi prekur në mënyrë të veçantë nga e tatëpjeta ekonomike që ka përkeqësuar ndjenjat e konsumatorit”, thuhet në deklaratën e drejtorit ekzekutiv të kompanise, Herbert Hainer.

Grupi gjerman i veshjeve sportive sqaroi se të ardhurat neto për 2014-tën ishin diku tek 650 milione euro, apo sa një e treta e atij që synohej të ishte fitimi për vitin.

“Adidas” nuk është e para kompani perëndimore që tkurr operacionet në Rusi. Nga ky vend kanë zgjedhur të largohen tashmë edhe dy emra të njohur të botës së modës, “Esprit” dhe “River Island”.

Top Channel