Opozita ruse në krizë të plotë pas vrasjes së Nemtsov

06/03/2015 00:00

Me vrasjen e Boris Nemstov, boshllëku i lidershipit të opozitës ruse thellohet akoma më shumë. Në morinë e ish-ministrave, spiunëve të tërhequr, oligarkëve miliarderë apo intelektualëve që përbëjnë krahun anemik opozitar të vendit, kritiku i Kremlinit i qëlluar për vdekje një javë më parë, ishte dalluar gjithmonë si njeri që nuk druhej të ngrinte zërin.

Nemtsov ka qenë organizatori kryesor i demostratave sporadike nëpër rrugë. Edhe pse vërshimi i zemërimit popullor nuk arriti asnjëherë të lëkundte fort pozitat e Putinit, të paktën dëshmonte se lëvizja demokratike ekziston akoma.

55-vjeçarit i faturohet miklimi i grupeve të ndryshme të burrave e grave, të cilët edhe pse në pozicione të kundërta, udhëheqësi karizmatik opozitar arriti t’i afronte përmes konsultimeve me qëllim farkëtimin e një uniteti jo të lehtë.

Tani me vdekjen e tij lind pyetja: “A do të jetë opozita ruse në gjendje të rivleresojë rolin e saj në jetën politike të vendit apo do të zhytet akoma më shumë në terr dhe pavlerësi. Opozitarët rusë sot janë në udhëkryq”, mendon analisti politik Aleksandr Pozhalov.

Vdekja e Nemtsov duhet t’i shtyjë të rishqyrtojnë strategjinë e ndjekur e të rifreskojnë marrëdhëniet mes tyre. Votuesit në Rusi nuk janë nga ata që impresionohen lehtë. Pjesa më e madhe i mbeten mirënjohës Putinit për stabilitetin dhe prosperitetin e sjellë në vazhdën e krizës ekonomike dhe sundimit të bandave të kriminale që pasuan shembjen e Bashkimit Sovjetik.

Disa prej figurave kryesore të opozitës kanë shërbyer asokohe në Kremlin dhe nuk i ndihmon aspak kundërshtarët e Presidentit të fitojnë pikë dhe në sytë e zgjedhësve. Përpos kësaj, Putini e konsolidoi pozicionin e tij me aneksimin e Krimesë që e preku edhe më shumë kordën nacionaliste, ndaj pa riorganizim dhe bashkim përballë tij, opozita, thonë ekspertët, nuk ka pothuajse asnjë shans.

Top Channel