Basha: Rama kërkon të diktojë hetimin, doli në konkluzione para organit hetimor

06/03/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi ndërhyrje në hetim qëndrimin e kryeministrit, që e quan ngjarjen një skenar aktrimi. Duke vënë në dukje se zoti Rama e lexoi të shkruar deklaratën e tij pas marrjes në pyetje nga Prokuroria, kreu i opozitës thotë se kryeministri po bëhet pjesë e alibisë me ushtrimin e presionit ndaj drejtësisë.

“Vetëm një hetim objektiv, bazuar mbi fakte, dhe i painfluencuar nga politika do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e së vërtetës”, – thotë kreu i opozitës në deklaratën e tij. Ai i kujton kryeministrit të pranojë standardin e para 21 janarit 2011, kur Ilir Meta dha dorëheqjen pas akuzave publike për korrupsion.

“Nëse Edi Rama nuk kërkon të paktën dorëheqjen e Metës, për këtë akuzë shumë më të rëndë se akuza për të cilën urdhëroi 21 janarin, a nuk vërteton kjo se Rama është bashkëpunëtor në mbulimin e krimit të paralajmëruar?”, – ngre pyetjen e tij Lulzim Basha.

Kreu i opozitës thotë se “Kryeministri ka në dorë të ndihmojë drejtësinë, duke i kërkuar Ilir Metës, të akuzuar për porositjen e vrasjes së 2 deputetëve, që të japë dorëheqjen. Nëse jo, Edi Rama konfirmon se është kokë e këmbë i implikuar dhe se ka zgjedhur të bëhet pjesë e mbylljes së çështjes, mbylljes së hesapeve e pazareve, dhe jo zgjidhjes që vjen vetëm nga drejtësia”, – përfundon kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Top Channel