Qeveria pritet të sigurojë 280 milionë USD, borxhe te privatët me garancinë e BB

06/03/2015 00:00

Shqipëria do të kërkojë borxh nga privatët në tregjet ndërkombëtare, duke përdorur si dorëzanës Bankën Botërore. Ky është një instrument i papërdorur ndonjëherë më parë, përmes të cilit Qeveria do të përpiqet të sigurojë 280 milionë dollarë borxh, nga privatët në tregjet europiane të financave.

Deri më tani, Shqipëria ka marrë borxh nga jashtë në dy rrugë. Së pari, në formën e kredive të drejtpërdrejta nga institucionet e zhvillimit si Banka Botërore, FMN apo BERZH; dhe së dyti, përmes eurobondit duke dalë vetë në treg, siç ndodhi në vitin 2010.

Përdorimi i garancisë së Bankës Botërore është një instrument i ri, të cilin Qeveria duket se kërkon ta përdorë për të minimizuar rreziqet e një dështimi të mundshëm. Në buxhetin e këtij viti, defiçiti, pra huamarrja e re e Qeverisë, është parashikuar rreth 58 miliardë lekë, ose e konvertuar me kursin aktual afro 480 milionë dollarë.

Por ky është vetëm borxhi i ri, që merret për të financuar shpenzimet e këtij viti. Përveç kësaj shume, Qeverisë këtë vit do i duhet të zëvendësojë edhe 300 milionë euro, ose afro 340 milionë dollarë borxhe, të marra në vitin 2010 përmes eurobondit.

Ky instrument, që maturohet këtë vit, pritet të rinovohet sërish përmes emetimit të një tjetër eurobondi. Ndërsa garancia e Bankës Botërore, e cila pritet të miratohet nga bordi i drejtorëve të saj gjatë muajit mars, do të përdoret për të siguruar financim të ri nga jashtë. Kjo, pasi Qeveria ka vendosur që të ulë pjesën e borxhit, të parashikuar për t’u marrë nga tregu i brendshëm për këtë vit.

Top Channel