BE: Të bashkuar përballë Rusisë. Vendet balltike shprehin frikë

06/03/2015 00:00

Takimi i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian në Riga të Letonisë duket i destinuar të mbizotërohet nga ngërçi i Ukrainës dhe hija e një konflikti që po mundon botën prej muajsh të tërë.

Por Letonia dhe fqinjt e saj balltike, në mënyrë të veçantë kanë ngritur shqetësimin ndaj atij që e shohin si qëndrim gjithmonë e më agresiv të Rusisë. Lituania rivendosi thirrjen nën armë dhe Estonia e ka akuzuar Moskën se qëndron pas një serie sulmesh kibernetike të kohëve të fundit.

Në këto momente, shtetet balltike i druhen më së shumti lëvizjes mjaft të ngadaltë të NATO-s dhe Bashkimit Europian, përsa i takon një reagimi ndaj veprimeve të Rusisë. Megjithatë, në lidhje me unitetin e bllokut kundrejt sanksioneve që rëndojnë mbi Moskën, në rast mosrespektimi të marrëveshjes së Minskut, shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini ofron garanci.

“Kemi qenë gjithmonë të bashkuar e kështu do të vazhdojmë të jemi. Nuk është e lehtë, më duhet ta them, por është e domosdoshme. Të gjithë vendet anëtare e dinë shumë mirë se uniteti është forca jonë, është reagimi dhe veprimi ynë më efikas, kur diskutohet zbatimi i paktit të Minskut”, tha Federica Mogherini, shefe e Politikës së Jashtme, BE.

Letonia, mikpritëse e samitit jozyrtar, mban aktualisht Presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Samiti vjen në kohën kur aleanca atlantiko-veriore vazhdon ta shtojë praninë e saj ushtarake në vendet balltike, ndërsa këto javët e fundit ka kryer disa stërvitje në Lituani.

Shumë e kanë parë këtë lëvizje të NATO-s si një demonstrim të qartë force dhe një “shoë” uniteti përballë kërcënimit rus ndaj ish-Republikave Sovjetike.

Nuk ka shumë kohë, që ministri britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon, e përshkroi Moskën si rrezik real e të pranishëm për shtetet balltike, çka u hodh poshtë menjëherë prej Rusisë. Kjo e fundit, nga ana e saj, nuk ka mbetur prapa me stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë, e sot njoftoi mbajtjen e një të tille në Krimenë e aneksuar përpara një viti.

Top Channel