Kosovë, Mustafa u prezanton programin donatorëve ndërkombëtarë

06/03/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka prezantuar programin qeveritar para forumit të Nivelit të Lartë me komunitetin e donatorëve ndërkombëtarë në Kosovë.

Në këtë takim, përfaqësuesit e diplomacive të vendeve që e kanë ndihmuar që nga paslufta Kosovën, vlerësuan se korrupsioni dhe drejtësia e dobët po e pengojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës. Zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë tha se korrupsioni i ka prekur të gjitha nivelet e shoqërisë në Kosovë.

“Çështja e korrupsionit dhe perceptimit të tij po e pengon zhvillimin e Kosovës, sepse po i prek të gjitha nivelet e shoqërisë dhe mbetet një prej pengesave kryesore. Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare duan të ndihmojnë dhe do ta ndihmojnë Kosovën, ndaj kemi ndihmuar në përmirësimin e sigurisë në kufij dhe promovimin e transparencës në procesin publik të tenderëve në Kosovë”, tha Jennifer Bachus, zv.ambasadore e SHBA në Kosovë.

Diplomatja amerikane ka premtuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta ndihmojnë zhvillimin e Kosovës. Edhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë, të pranishëm në takim, u zotuan se do të ndihmojnë Qeverinë e Kosovës në zbatimin e programit qeverisës.

Kryeministri Isa Mustafa, si organizator i këtij forumi me donatorët, tha se orientimi i Qeverisë së tij është zhvillimi ekonomik.

“Ne jemi të interesuar që ta forcojmë ekonominë përmes rritjes së normës vjetore të rritjes ekonomike, përkatësisht të GDP-së, e cila do të mundësonte një normë të punësimit që do të përfshinte fluksin vjetor të të papunëve që hyjnë në tregun e punës, i cili për ne, sipas evidencave të deritanishme, sillet ndërmjet 25 mijë deri në 30 mijë të papunë çdo vit. Po ashtu më vonë do t’i qasemi edhe kontigjentit të të papunëve, të cilët janë në zyrat e punës”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Mustafa tha se do të bëjë reforma fiskale, reforma në ndryshimin e strukturës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, si dhe ndryshimin e normave për produktet e ndryshme.

Mustafa pranoi se sistemi i drejtësisë në vend nuk është i mirë, ndërsa siguroi se Qeveria e tij do të plotësojë të gjitha kushtet e kërkuara për të krijuar një sistem të pavarur të drejtësisë, i cili sipas Mustafës do të forconte shtetin e së drejtës.

Top Channel