Krerët e Kosovës, homazhe Jasharajve në Prekaz

06/03/2015 00:00

Krerët më të lartë të shtetit të Kosovës vizituan këtë të premte Prekazin. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Hashim Thaçi dhe Kujtim Shala, si dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, bëri homazhe pranë varrit të komandantit legjendar Adem Jashari, dhe pranë varrezave të familjes Jashari, në kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz të Skënderajt.

17 vjet më parë, komandanti i UÇK-së Adem Jashari dhe familja e tij ranë heroikisht në mbrojtje të idesë për liri dhe pavarësi të Kosovës. Ai është shembulli më i fortë i heroizmit, i sakrificës dhe i përkushtimit për vendin, për lirinë e tij, për atdhedashurinë dhe për të ardhmen e këtij vendi, u shpreh Mustafa.

Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, mbresat e tij nga kjo ditë i ka shprehur me një postim në Facebook.

“Sakrifica sublime e Jasharajve në marsin e vitit 1998 është rast i pashembullt i dashurisë e vetëmohimit për atdheun dhe na shërben si udhërrëfyes për të ardhmen e Republikës sonë të re”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.

Po ashtu, edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka bërë homazhe në Prekaz, ku tha se “sot kujtojmë të gjithë ata që kanë rënë për lirinë tonë”.

“Përulemi para varrit të tyre me dinjitet dhe respekt dhe, në të njëjtën kohë, le të jetë një nxitje për ne që të jemi më të përgjegjshëm dhe më të vendosur në rrugën drejt prosperitetit dhe konsolidimit, sa i përket zhvillimit ekonomik dhe integrimeve evropiane”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetari i partisë “Nisma për Kosovën”, Fatmir Limaj tha gjatë homazheve se duke nderuar Epopenë dhe familjen Jashari, nderojmë gjithë dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës.

Edhe një delegacion i Vetëvendosjes, i përbërë nga kryetari Visar Ymeri, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, deputetët Albin Kurti, Glauk Konjufca, Rexhep Selimi, si dhe koordinatorja e Qendrës në Skënderaj, Ajnishahe Halimi, i bënë sot vizitë familjes Jashari në Prekaz të Skënderajt.

Top Channel