Kosovë, Zhbogar: Në verë nënshkrimi i MSA-së

06/03/2015 00:00

Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar paralajmëroi nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin mes BE-së dhe Kosovës gjatë verës së këtij viti dhe hyrjen në fuqi të saj në vitin 2016.

Në komisionin parlamentar për integrime europiane, zoti Zhbogar duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve kosovarë, nuk dha afate kohore se kur do të hiqen vizat. Ai tha se procesi është penguar nga vala e emigrimit ilegal dhe varet po nga ky fenomen, por edhe nga përmbushja e detyrimeve.

“Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit do të shënojë hapin e parë të marrëveshjes zyrtare dhe bashkëpunimit mes BE-së dhe Kosovës. Sa i përket nënshkrimit, aktualisht marrëveshja është duke u përkthyer në të gjitha gjuhët e Bashkimit Europian, pritjet janë që në prill kjo të përfundojë. Më pas marrëveshja duhet të aprovohet nga Komisioni Europian dhe t’iu dërgohet vendeve anëtare. Vendet anëtare duhet ta aprovojnë gjithashtu, në mënyrë që ne të mund ta nënshkruajmë. Shpresojmë që marrëveshja të nënshkruhet në verë dhe që të hyjë në fuqi në vitin 2016”, deklaroi Zhbogar.

Zhbogar siguroi anëtarët e komisionit parlamentar se BE-ja nuk ka axhendë politike që do të bllokonte një subjekt politik apo një tjetër. I pyetur nga deputetja e Nismës të komentojë shkrimet në shtyp se gjyqtari i EULEX-it ka planifikuar të dënojë Fatmir Limaj me qëllim shkatërrimin e bllokut, diplomati evropian tha se këto janë ende supozime dhe theksoi se mungojnë dëshmitë.

“Nëse bëhet diçka gabim, Bashkimi Europian ka instrumentat e vetë që të verifikojë dhe të zbulojë se çfarë ka ndodhur. Kjo është ajo çfarë ka ndodhur me prokuroren Bamieh. Ne kemi nisur një hetim të pavarur, rezultatet e të cilit do të mësohen në mars. Me aq sa kam kuptuar duke lexuar gazetat, ne s’kemi parë ende prova. Ka shumë supozime se çfarë ka mundur të ndodhë, por nuk kemi parë prova ende”, nënvizoi Zhbogar.

Sa i përket dialogut me Serbinë, përfaqësuesi i BE-së e vlerësoi me nota pozitive marrëveshjen për drejtësinë. Ai tha se nuk janë caktuar afate kohore që do të shënonin fundin e këtij procesi, por BE do ta lehtësojë atë për aq kohë sa Serbia dhe Kosova do të kenë tema që normalizojnë raportet mes tyre.

Top Channel