Rama në Lushnje, ndan 590 çertifikata pronësie

06/03/2015 00:00

Qeveria është e vendosur ta çojë deri në fund procesin e legalizimeve falas. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama nga qyteti i Lushnjës, ku 590 qyetarë përfituan çertifikatat e pronësisë.

Ky proces, tha Rama, për zonën e Lushnjës nuk ishte i lehtë për shkak të zhdukjes së mëshumë se 1 mijë dosjeve që mbaheshin peng prej vitesh, gjë që i detyroi qytetarët e interesuar dhe të dëmtuar që ta rifillonin procesin nga e para. Sipas Ramës, ky proces është i lidhur drejtëpërdrejt me rritjen e ekonomisë kombëtare.

“Legalizimi nuk është dhënia në dorë e një dokumenti që e bën shtëpinë tuaj të paprekshme, por është dhe marrja në dorë nga ju e një dokumenti të patundshëm që kthehet në një mundësi për të marrë kredi në bankë për të rritur aktivitetin tuaj”, deklaroi Rama.

Kryeministri nuk e kurseu admirimin dhe një batutë për punën e deputetit të zonës, Erion Braçe.

“Kjo zonë, Lushnje e Divjakë së bashku, për ju ka një fat, ndërsa për mua një fatkeqësi, që ka Erjon Braçen deputet. Për ju është fat sepse keni një përcjellës të shpejtë dhe të paepur të çdo lloj zhurme dhe kërkese që keni, ndërsa për mua është fatkeqësi se zhurmat që vijnë nga kjo zonë janë në disproporcion me zhurmat që vijnë nga zona të tjera të Shqipërisë. Duket e çuditshme sesi një trup kaq i vogël mund të prodhojë një presion kaq të madh me kërkesa dhe zhurma. Lumë ju që e keni dhe mjerë ne që duhet ta dëgjojmë Erionin”, tha Rama.

Gjatë ndarjes së çertifikatave të pronësisë Rama theksoi se në vetëm 10 muaj punë ALUIZN-i i Lushnjës mundi të përfundojë 590 dosje, ndërsa në 8 vitet e qeverisjes së shkuar u dhanë vetëm 490 çertifikata nga të cilat vetëm 5 për zonën e Divjakës.

Top Channel