Armando Curri vlerësohet me medalje ari nga Parlamenti farncez. 19-vjeçari mbaroi shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera, por për shkak të statusit të tij ilegal, fillimisht iu komunikua se nuk mund të merrte pjesë në ceremoni.

Por në minutat e fundit kreu i Senatit, një politikan i qendrës së djathtë, e lejoi shqiptarin të ishte i pranishëm dhe, menjëherë më pas, Ministria e Brendshme i dha një leje qëndrimi tremujore.

Curri shkoi ilegalisht në Francë para tre vjetësh dhe iu lejua të rrinte për shkak se ishte i mitur, ndërkohë një vit më parë u shkrua një urdhër largimi në emër të tij.

* Kur studentja e modës, Anais Bordier, po shikonte mes videove në YouTube, mbeti e befasuar kur pa një fytyrë që ngjante ekzaktësisht si e saja.

Në një rastësi pothuajse të pabesueshme, Bordier zbuloi se ajo ishte motra e saj binjake, me të cilën ishte ndarë që në lindje.

Të dyja motra lindën në Seul, në Korenë e Jugut, por prindërit e tyre natyralë nuk mund t’i mbanin dhe i dhanë për birësim. Njëra u rrit në Paris, e tjetra në New Jersey. Tashmë ato janë ribashkuar pas 27 vitesh.

* Një i pastrehë amerikan ka prekur zemrat e miliona njerëzve. Ai mbeti pa shtëpi në nëntor të vitit të kaluar, kur banesa e tij u shkatërrua plotësisht nga zjarri.

Gjatë një stuhie bore në Kolorado, ai shfaqet bashkë me të huajt duke ndihmuar makinat që bllokoheshin. Ndihma e të pastrehut preku shumë persona dhe për këtë shkak nisi një aksion për të mbledhur donacione në ndihmë të tij.

Brenda 5 ditëve, shumë njerëz kishin mbledhur më shumë se 8 mijë dollarë. Përveç kësaj, dikush i kishte paguar një dhomë hoteli dhe një tjetër i ofroi atij një punë.

Top Channel