Gjykata Speciale, Jahjaga takon krerët e opozitës

06/03/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar të premten liderë të partive opozitare të cilët i ka informuar mbi përgatitjet që kanë bërë institucionet kosovare për ngritjen e Gjykatës Speciale.

Në këtë takim, Jahjaga ka theksuar nevojën e gjetjes së një konsensusi politik për themelimin e Gjykatës Speciale.

Sipas saj, ky institucion nuk do të gjykojë luftën dhe përpjekjet e Kosovës për liri dhe pavarësi, por do të merret me akuzat që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës.

Por liderët opozitarë janë shprehur kundër Jahjagës dhe kanë paralajmëruar votën kundër krijimit të Gjykatës Speciale.

“Lëvizja Vetëvendosje e konsideron këtë gjykatë jashtëzakonisht të dëmshme dhe të rrezikshme për të kaluarën dhe për të ardhmen e Kosovës. Natyrisht që ne nuk do ta votojmë, pavarësisht se kush e kërkon, për shkak se e shohim si jashtëzakonisht të dëmshme dhe të papranueshme”, ka deklaruar kryetari i ri i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.

Edhe në takimin me liderin e subjektit Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, presidentja Jahjaga ka kërkuar konsensusin e nevojshëm pasi për formimin e Gjykatës Speciale nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve.

Jahjaga u ka kujtuar partive parlamentare opozitare se Kosova ka marrë zotimin për krijimin e kësaj gjykate me marrëveshjen që arriti vitin e kaluar Kuvendi me votat e shumicës së deputetëve.

Top Channel