LSI: Basha nuk e dha dorëheqjen kur akuzohej për vjedhjen e 230 mln $

06/03/2015 00:00

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, në një deklaratë për shtyp i është përgjigjur kërkesës së PD për dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

Në fjalën e tij, Vasili i ka kujtuar kryetarit të PD Lulzim Basha se gjatë kohës që kjo parti ishte në pushtet ai ka qenë person i akuzuar për vjedhjen prej 230 milionë dollarë përmes tenderit të rrugës Durrës-Kukës.

“Kemi diskutuar kërkesën qesharake të kreut të PD për dorëheqjen e kreut të Kuvendit. Kreu i PD do të bënte mirë të hiqte dorë nga kjo kërkesë, pasi nuk mund ta bëjë atë sepse qytetarët e kanë të qartë në mendje se ky person është akuzuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe KLSH për vjedhjen e 230 milionë dollarëve të rrugës Durrës-Kukës”, ka thënë Vasili.

Sipas tij, shqiptarët e mbajnë mend mirë se Basha nuk e dha dorëheqjen, por me sajesa pa fund i shpëtoi gjykimit përmes procedurave, duke u mbrojtur, siç tha Vasili, me sëmundje imagjinare.

“Ai nuk pranoi që kjo çështje të gjykohej në themel për të zbardhur se cila është e vërteta e vjedhjes së 230 milionë dollarëve. Ndaj, sot e kësaj dite kreu i PD vazhdon të jetë i akuzuar, çështja nuk është mbyllur dhe si i tillë ai vazhdon të mbetet shembulli më negativ i politikanit në raport me ligjin”, ka thënë Vasili.

Demokratët së bashku me ish-kryetarin e tyre, vijoi zyrtari i LSI, vazhdojnë të jenë shembuj që nuk kanë dhënë kurrë dorëheqjen edhe kur janë akuzuar për afera kriminale.

Top Channel