Rusi, Putin shkurton pagën e tij me 14 mijë dollarë

06/03/2015 00:00

Që në Kremlin ka ardhur koha për “shtrëngime” financiare, kjo mund të duket jo shumë e çuditshme, duke ditur se prej kohësh ekonomia ruse vuan prej sanksioneve ekonomike të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për shkka të ndikimit të Moskës në krizën e Ukrainës.

Por, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, presidenti Vladimir Putin ka ulur edhe pagën e tij me 10% këtë të premte, një vendim që do t’i kushtojë atij rreth 900 mijë rubla në vit, apo rreth 14 mijë dollarë, teksa vendi është futur në një nga krizat më të thella financiare ndër vite.

Në fakt, ekonomia ruse nuk vuan vetëm pasojat e vendimmarrjes së Kremlinit për ndihma me trupa ushtarake dhe armatime ndaj separatistëve prorusë në Ukrainë, por edhe prej uljes së ndjeshme të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Rubla ka pësuar një rënie drastike, duke humbur rreth 40% të vlerës kundrejt dollarit amerikan brenda 6 muajve të fundit. GDP-ja e Rusisë pritet të tkurret me 5% gjatë këtij viti, inflacioni është në rritje, ndërkohë që standardi i jetesës po bie gjithnjë e më shumë.

Putin urdhëroi shkurtimin e pagave për të gjithë anëtarët e administratës së tij, këtë të premte, vetëm pak muaj pasi kërkoi 10% shkurtime të shpenzimeve qeveritare, duke lënë vetëm Mbrojtjen si të vetmin sektor të paprekur nga këto masa kursimi.

Putin ka fituar plot 3,6 milionë rubla (59,800 USD) gjatë vitit 2013, sipas deklaratës së fundit financiare të tij. Por, sipas dokumenteve të reja zyrtare, paga e tij presidenciale besohet të jetë dyfishuar apo diçka më shumë në prill të vitit 2014, duke e çuar atë në rreth 9 milionë rubla, apo 150 mijë dollarë.

Kjo është një pagë modeste, krahasuar me disa prej udhëheqësve të tjerë më në zë të botës. Për shembull, presidenti Barack Obama fiton rreth 400 mijë dollarë në vit, ndërsa Kancelarja gjermane Angela Merkel fut në “xhepat” e saj 240 mijë dollarë në vit.

E megjithatë, fitimet neto të Putinit mbeten ende një mister. Zyrtarisht, ai zotëron dy apartamente, një garazh, dy makina “Volga GAZ”, një furgon dhe një pjesë toke. Jozyrtarisht mendohet që ai të jetë shumë, por shumë më tepër i pasur.

Bill Broëder, shefi ekzekutiv i HCM, si dhe një prej investitorëve më të mëdhenj të huaj në Rusi dikur, tha për CNN se Putin mund të ketë një pasuri rreth 200 miliardë dollarë.

“Pas 14 viteve në pushtet, në Rusi, duke parë sasinë e parave që vendi ka grumbulluar dhe sasinë e parave që nuk janë shpenzuar as për shkolla, as për rrugë apo spitale, etj., atëherë e gjithë kjo shumë të hollash është pronë e individëve të caktuar veçanërisht nëpër llogaritë bankare zvicerane, por edhe aksione nëpër biznese të ndryshme, fonde mbrojtëse, të gjitha të menaxhuara prej Putinit apo miqve të tij”, tha ai.

Putin e ka mohuar në të kaluarën të jetë personi më i pasur në Europë.

Top Channel