Ligji i ri për arsimin e lartë, më shumë kompetenca universiteteve. Krijohet agjencia e financimit

06/03/2015 00:00

Projektligji i arsimit të lartë, i cili pritet të kalojë për diskutim në Komisionin e Medias dhe Arsimit, i jep universiteteve shumë kompetenca themelore, që deri më tani administroheshin nga Ministria e Arsimit.

Zëvendësministri i Arsimit, Arbjan Mazniku sqaron se vitin e ardhshëm akademik universitetet do të përcaktojnë kuotat e studentëve, tarifat, numrin e pedagogëve, si dhe do të vendosin kritere specifike për të rinjtë, që do të pranohen në universitete, pasi ata të kenë kryer provimet e maturës shtetërore.

“Një pjesë e madhe e institucioneve të arsimit të lartë do të përdorin maturën shtetërore si një kriter kryesor hyrës dhe mbi të mund të krijojnë kritere të tjera, ose nënkritere të tjera, për përzgjedhjen e studentëve. Por do të përdorin padyshim maturën, si një ndër elementët kryesorë, si një kriter të barazmatshëm në të gjithë vendin. Po, mund të jetë një provim për fusha të caktuara që kanë nevojë për ta pasur një të tillë, mund të jetë një dosje personale siç ndodh në mjaft institucione ndërkombëtare”, tha zv.ministri Arbjan Mazniku.

Për herë të parë do të krijohet Agjencia e Financimit të arsimit të lartë, i cili do të ketë një peshë të rëndësishme në menaxhimin e të ardhurave të universiteteve në bazë të performancës së tyre.

“Skema e financimit që propozohet nga ligji i ri për arsimin e lartë ka katër elementë kryesorë. Ka grantin e përgjithshëm, i cili u jepet institucioneve të arsimit të lartë në bazë të treguesve të performancës. Që do të thotë se, sa më mirë të dalin këto institucione në nivelin e akreditimit, apo të rankimit, në nivelin apo cilësinë e prodhimit të kërkimit shkencor, në llojin dhe cilësinë e studentëve që arrijnë të rekrutojnë, dhe shumë tregues të tjerë që mund të vendosen, në bazë të tyre do të variojë edhe sasia e financimit publik që do t’u jepet atyre nëpërmjet këtij granti të përgjithshëm”, shtoi më tej Mazniku.

Ekspertët e Komisionit të arsimit të lartë kanë reflektuar një pjesë të madhe të kërkesave të universiteteve. Senati dhe bordi kanë kompetenca të barazvlefshme në funksion të mirëadministrimit të universiteteve.

Top Channel