The Guardian: Ndryshimet e klimës nuk po merren seriozisht

06/03/2015 00:00

Gazeta britanike “The Guardian” shkruan se ndryshimi i klimës nuk ka marrë rëndësinë e duhur për trajtimin e krizës nga udhëheqësit, pavarësisht faktit se ajo mbart rrezikun për të shkatërruar jetët tona.

Por, sipas gazetës, nuk duhet që as të tjerët të rrinë si spektatorë pasi politikanët nuk janë të vetmit që mund të zvogëlojnë rrezikun e kësaj tragjedie të madhe.

Një ditë më parë, Instituti Botëror i Burimeve njoftoi se ndryshimet e klimës dhe rritja e popullsisë në vitet në vazhdim do të jenë faktorët që do të çojnë në një zgjerim të ndjeshëm të hartës së përmbytjeve.

Sipas studimit të institutit, numri i popullsive që do të preken nga përmbytjet në mbarë botën mund të trefishohet në 15 vitet e ardhshme dhe kostoja vjetore e dëmeve në zonat urbane mund të arrijë mbi 1.3 miliardë euro.

IBB tha gjithashtu se kjo është analiza e parë që publikohet për të gjithë botën, mbi rreziqet aktuale që vijnë nga përmbytjet dhe ato që do të vijnë.

Studimi tregon se rreth 20 milionë banorë të globit janë në rrezik nga vërshimi i ujërave, që mund t’i kushtojë GDP-së rreth 90 miliardë euro.

Top Channel