Një pasdite me Luiza Çako

06/03/2015 00:00

E përzgjedhura e radhës e kësaj të premteje, për të kaluar së bashku një pasdite të këndshme nën shoqërinë e moderatores Jonida Shehu, ka qenë një personazh për të cilin do të mësoni shumë më tepër të dhëna nga ç’keni ditur deri më sot. Një personazh që vjen te ju, jo më kot, në prag të festave të 7-8 marsit, një zonjë me plot kuptimin e fjalës, sopranoja e njohur Luiza Çako.

Zonja Luiza, pavarësisht se të gjithë e kanë parë prej vitesh të tëra në skenë, kurrë nuk ka folur për veten e saj, ndaj dhe këtë të premte ka qenë në “Pasdite në Top Channel” për të bërë rrëfimin e saj të parë për jetën.

TCH: Përse keni qëndruar larg Luiza?

Luiza Çako: Nuk është se kam qëndruar larg, por nuk kam dashur të flas, sepse kur nuk je aktiv në jetë nuk shoh se për çfarë mund të flas. Unë e kam lënë skenën shumë e re, në moshën 45-vjeçare, kështu që s’jam aktivizuar më vonë, në mënyrë që të kisha mundësi të flisja për diçka. Atë që kam bërë në jetë kam zgjedhur ta them sot për ju.

TCH: Janë 20 role mbi supe përgjatë karrierës suaj në skenë, e gjithsesi ju keni qëndruar disi në hije.

Luiza Çako: Kjo është e vërtetë, por arsyeja përse kam qëndruar në hije është sepse kam qenë me një biografi si vajzë borgjeze, vajzë farmacisti, babai im ka qenë i burgosur i vitit ’51. Më vonë më është internuar daja, një avokat shumë, por shumë i zoti dhe pasi internuan atë, pasojat ranë mbi mua. Në skenë kam punuar shumë, me role karakteri që më shkonin për shtat, kam dhënë shumë koncerte. E njoh Shqipërinë nga Vermoshi në Konispol, s’kam lënë kooperativë, repart ushtarak pa dhënë koncerte gjatë kohës së revolucionarizimit, kur edhe u hoq repertori klasik. Por në skenë kam kënduar deri vonë në 20 role. Kur u hoq repertori klasik kam kënduar repertor shqiptar. Kjo pati një të keqe, por edhe një të mirë, sepse kompozitorët tanë u vunë të bëjnë vepra shqiptare në dekada, arie, opera, opereta, teksa unë kam kënduar edhe te “Skënderbeu” me rolin e Mamicës, te “Karnavalet e Korçës” me Nastën, ose te “Brigada e grave” në rolin e një vajze jo të disiplinuar, e më pas kam kënduar shumë edhe muzikë popullore, të cilën e dashuroj, e kam në gjak, në shpirt. Kam dhënë edhe mësim në shkollën e folklorit, me nxënësit diletantë të asaj kohe, sepse tani nuk ekziston më. Ishte një shkollë ku jepej muzikë popullore, ku unë kam qenë në të njëjtën klasë me artisten e mirënjohur Drita Papajani, nga e cila kam mësuar shumë. Kishim nxënësit tanë, të cilët merrnin edhe mësime vokali, por edhe këngë.

TCH: Përveç pjesës së biografisë dhe problematikës që ju kishit me prejardhjen nga familja borgjeze, nga e cila vinit në kohën e komunizmit, ka ndikuar ndopak fakti që bashkëshorti juaj, Gaqo Çako, ka qenë në qendër të vëmendjes? A mund të ishit të dy në qendër të vëmendjes? Apo mos ka qenë një tolerancë e Luizës për të lënë Gaqon në spotet kryesore të dritave të skenës?

Luiza Çako: (Qesh), dy gjela në një derë nuk këndojnë dot. E kam bërë këtë, sepse e kam çmuar Gaqon për vlerat që ka ai, jo sepse është bashkëshorti im, por sepse nuk e di sesa vite do të duhen që të dalë një tjetër si ai. Ai ka kënduar çdo gjë, nga popullorja, te qytetarja, opera të të gjithë repertorit botëror, ishte gjynah që të mos i rrije para-mbrapa. Por edhe ai respekt reciprok kishte, madje mund të them se i kishim ndarë punët, unë kisha postin e “ministrit të Brendshëm”, ndërsa ai “ministër i Jashtëm”. S’më ka lënë kurrë të bëj një pazar, por i jam kushtuar shumë të them të drejtën. E meriton dhe nuk më ngel asnjë pishman. Jam e kënaqur me kaq.

TCH: Në rastin tuaj, bashkëjetesa prej shumë vitesh me Gaqo Çakon, e ka ndihmuar profesionalizmin tënd, apo edhe mund ta ketë penguar në disa raste? Fakti që të dy jeni të të njëjtës fushë, fakti që njëri duhet të shkëlqejë patjetër dhe rrezatimi i tij ka qenë shumë i madh, e ka eklipsuar Gaqo Luizën?

Luiza Çako: Jo. Absolutisht. Kam pasur shumë sukses në publik dhe këtu po flas sinqerisht, s’kam pse e bëj me doreza. Si në këngën popullore, edhe në operetë, si në operat që kanë personazhe të vështira, si Myzeta e “Bohemës”, Rozina e “Berberit të Sevijes”; unë kam qenë nga natyra si këto. Kështu që sipas mendimit tim, si gjithë kolegët e mi të asaj kohe, mendoj se kam shkëlqyer edhe unë në gjininë time, publiku më ka dashur dhe më do, edhe më ka ndjekur. Unë nuk mund të bëhem Gaqo Çako, as Remiz Kovaçi, as Mentor Xhemali, as Gjyzepina Kosturi nuk mund të bëhem. Ato ishin lart e më lart, ndërsa të tjerët ishin të gjithë njësoj. Publiku kishte preferencat e veta dhe kënaqësinë e tij unë e kam marrë.

TCH: E keni nisur herët karrierën e të kënduarit, 14 vjeç. Një rastësi dhe aspak një plan familjar, që detyrimisht do të të çonte në muzikë dhe këngë.

Luiza Çako: Absolutisht jo. Kisha qejf të këndoja, shkonim atëherë në shtëpinë e pionerit, isha shumë e vogël dhe, teksa shikonim të tjerët të këndonin, na hipte qejfi edhe neve. Pastaj, siç vajta në Pedagogjike në vitin e parë, bëheshin dallime në klasën e muzikës, ku bëheshin edhe kore, edhe soliste. Nisa të këndoja, madje edhe duete me një shoqen time, atëherë këndoheshin edhe këngë ruse shumë, kur një ditë u organizua Ansambli i Rinisë, apo Kori i Rinisë. Ishin të gjithë zërat e mirë dhe të talentuar, ku u futa dhe unë, por nuk isha në rini. Aty më spikati dirigjenti i mirënjohur dhe i respektuar, Milto Vako, i cili drejtonte korin, e që më vuri të këndoja këngën e Hatixhes, “Ani moj Hatixhe”. Ka qenë diku e inçizuar dhe vonë e kam dëgjuar. Por më pas si duket u zhduk… Prej kësaj kënge nisën shokët të mos më thërrisnin më Luiza, por hajde “Hatixhe” bëj këtë, apo atë. Atje mbushja ujë, rregulloja krevatet, ndërsa kur erdha në Lice…

TCH: Aty filloi realisht rruga e profesionit…

Luiza Çako: Po, unë nuk kisha ndërmend fare, vazhdova Pedagogjiken, por çdo vit bëhej nga një regjistrim. Për t’u rikthyer te Kori i Rinisë, u bë një festival ku ka qenë busti i Qemal Stafës, këndova aty dhe mora një çmim të parë. E mora atë dhe pa ditur asgjë, shkova në shkollë për t’u regjistruar, por ma ndaluan dhe më thanë që duhej të shkoja të regjistrohesha në Liceun Artistik.

TCH: Ata kishin vendosur për ty, e kishin kuptuar talentin…

Luiza Çako: Po, më erdhi si diçka e rrufeshme, sepse nuk dija gjë. Më thanë të shkoja atje dhe gjeta Jorgjia Trujën, me të cilën kam bërë mësim, Artiste e Popullit, Marie Kraja, e nderuar dhe Artiste e Popullit, Mihal Ciko, Artist i Popullit, dhe hyra. Isha rreth të 15-ave dhe menjëherë më pyeti Maria me zërin e saj të bukur se ç’desha unë atje sepse isha e vogël. Nuk e di, i thashë, më kanë sjellë këtu dhe nëse më mbajnë mirë, nëse nuk më mbajnë, iki atje se e kam një vend. Më pranuan dhe më mbajtën 1 vit dëgjuese, duke bërë kulturë të përgjithshme, ndërsa artistike shumë pak. Ndaj kur mbarova studimet, isha një vit më e vonshme, kisha mbaruar të përgjithshmen dhe qëndrova një vit shtesë për artistiken. Që andej më emëruan në Teatrin e Operës dhe Baletit.

TCH: Imagjinoni që Luiza Çakon mund të mos e kishim njohur kurrë si këngëtare, nëse ajo do të kishte ndjekur ëndrrën e babait dhe do të ishte bërë farmaciste. Ndodh ndonjëherë një rastësi e vogël, si shtysë, sepse kur ekziston talenti, ky i fundit nuk mund të fshihet. Herët apo vonë dikush do ta dallojë atë. E megjithatë jemi në momentin kur nisi karriera. Më pas rruga përtej Liceut?

Luiza Çako: Më pas rruga vazhdoi normalisht, bëja mësim me Jorgjija Trujën, Artisten e Popullit, e cila më ka nxjerrë në dritë si shumë të tjerë. Liceu ka qenë konservator, aq i fortë. Ka nxjerrë të tjerë si Zihni Berati, Dhimitra Ketën, Kristaq Paspalin, që kanë kënduar role kryesore në Opera. Mbarova me atë pedagoge dhe u emërova në TKOB.

TCH: E mendoje që do të bëheshe këngëtare, që kjo do të ishte rruga jote?

Luiza Çako: Jo, qejfi ma kishte, por asgjë nuk mund të dija, sepse askush nuk është i sigurt po nuk vuri këmbët fuqishëm. Në atë kohë më dhanë bursën për jashtë shtetit…

TCH: Ishte një bursë për në Rusi?

Luiza Çako: Nuk e di në çfarë shteti, ndoshta për në Rusi, ndoshta për në Rumani, por mua ma prenë. Sërish për shkak të biografisë. U mërzitëm jashtë mase, sidomos babai im, sepse ishte një njollë që ju mund ta kuptoni vetë, por sidomos për femrat ka qenë delikate…

TCH: Në atë kohë mund të mbeteshe edhe e pamartuar për shkak të biografisë…

Luiza Çako: Po, e saktë. Megjithatë më pas më morën në Opera. Atëherë ishte rroga 7300 lekë, kur veza ishte vetëm 4 lekë, ndaj ishte një gjë e madhe për mua dhe për familjen time. Hyra në punë dhe sigurisht do të respektoje disiplinën, do të punoje fort, e kështu nisa nga rolet e para. Mbaj mend që duhej të shuaja një qiri, por nga emocionet e shumta që kisha m’u desh shumë kohë ta shuaja atë të shkretë qiri. Në fund të këtyre roleve të vogla bëra Norinën në “Don Pasquale”, një rol i madh që askush nuk e priste të realizohej prej meje.

TCH: Këtu e fitove sigurinë në vetvete?

Luiza Çako: Po, ky ishte roli që më ndezi “dritën jeshile”. Mendova që isha në skenë dhe kjo do të ishte rruga ime për t’u ndjekur. Nuk më kujtohet në i kisha mbushur 21 vjeç atëherë, por kam punuar për një vit e gjysmë me pedagoge dhe regjisor rus. Çdo ditë bënim mjeshtëri aktori dhe balet klasik, të alternuara, disiplina ishte absolute dhe nëse shkoje vetëm një minutë me vonesë të pritej rroga. Veç këtyre, me pedagogen bënim përditë mësim të rregullt roli. “Don Pasquale” u vu e treta dhe kur u bënë provat gjenerale unë rezultova si surpriza. Vendosën më pas të më jepnin premierën, por pati një dyshim sepse unë isha shumë e re. Regjisori tha në rusisht “punë e madhe, ajo luajti si e madhe, ndaj nuk më intereson, por premierën e dua me këtë”. E bëra premierën me një siklet të madh, por edhe me një sukses shumë të madh, gjë që vendosi edhe fatin tim, pasi atë natë më dhanë edhe bursën për jashtë shtetit.

TCH: Vetëm atëherë ata pranuan që Luiza, pavarësisht problemeve me biografinë, do të shkonte për t’u shkolluar?

Luiza Çako: Ndoshta edhe nuk e dinin fare, por unë nuk i marr vesh këto punë. Di vetëm që më akorduan bursën dhe madje ka shkuar babi në Ministrinë e Jashtme, duke u thënë atyre “faleminderit shumë, por unë këtë bursë nuk e dua. Po të ma prisni në vijim do të bëhesha gazi i botës”. Ndërsa ata iu përgjigjën se “kjo ishte e vendosur nga lart dhe vajza do të shkonte se s’bën”. Kështu që u nisa për në Rusi.

TCH: Bëtë vetëm 2 vite shkollim atje…

Luiza Çako: Atje pata një pedagoge shumë të mirë, por fati im që u ndërprenë marrëdhëniet në ’61-shin dhe u kthyem. Vetëm se përfituam shumë, qoftë nga mënyra si jetohet, qoftë nga koncertet e shumta, pasi njerëzit në Rusi ishin të kulturuar. Edhe kur mbanin radhë për një biletë në koncert, ata lexonin libra. Shkonim nëpër mjetet e transportit publik, vetëm ne bërtisnim, ndërsa ata sërish me libra në duar. Në Konservator, ata studentët ishin kaq të ditur, sepse e kishin nisur muzikën që të vegjël. Kur bënim provimin në Histori Muzike, për shembull, duhet të shkoje në diskotekë të dëgjoje dhe të punoje shumë, aty gjenim nga këta nxënësit e rinj, por që në fakt i dinin përmendësh të gjitha. Nga kjo anë mësuam shumë, por fatkeqësish marrëdhëniet u ndërprenë. E kam qarë atë periudhë, por s’ke ç’bën.

TCH: U vendos me thikë, nuk kishit më çfarë të bënit për atë pjesë…

Luiza Çako: Po, për të gjithë u vendos me thikë. U kthyem dhe më erdhi keq, sepse pedagogen e kisha shumë të mirë, por unë e fillova nga fillimi. Kisha bërë opera këtu, por “Don Pasquale” ishte shumë e vështirë për moshën time. Ajo më sugjeroi që të fillonim nga vepra më të lehta. Por…

TCH: Megjithatë përfitove mjaftueshëm për të vazhduar më tej. Çfarë ndodhi kur u ktheve nga Rusia?

Luiza Çako: U ktheva dhe pas gjithë asaj mërzie fillova punën, koncertet etj. “Berberi i Sevijes” ishte vënë por do të riluhej me Ramiz Kovaçin, Artist i Popullit, që e kam pasur mik dhe shok dhe e kujtoj me nostalgji, edhe familjen e tij e dua shumë, por edhe me Gaqon. Sigurisht që duke parë madhështinë e Ramizit dhe Gaqos, unë isha… thjesht unë! (qesh). E bëra premierën në fjalë dhe me shumë sukses, pavarësisht se atë natë u sëmur Ramizi dhe ka hyrë Avni Mula. Unë me Avniun nuk kisha kënduar ndonjëherë dhe kur e pashë aty u habita, mendova se ku isha. M’u kthye duke më thënë që të mos bëhesha merak, unë të vazhdoja punën dhe ai do më vinte prapa. Doli një shfaqje shumë e mirë dhe e suksesshme.

TCH: Meqë u përmend Gaqo në rrëfimet e tua. Kur u shfaq në jetën tuaj si person Gaqo?

Luiza Çako: Atë e njoh prej kohësh, shumë herët, familjet nuk njiheshin aspak, por unë e njihja sepse kishim qenë në të njëjtën shkollë. Duhet ditur se në Lice futeshe 7 vjeç dhe dilje prej andej 19-20 vjeç. Kemi qenë shumë shokë, saqë kur rrinim në pushim uleshim nëpër disa trungje pemësh dhe diskutonim gjëra të ndryshme. Atëherë ka qenë edhe buka me racion dhe përditë vinin nga një përgjegjës (nxënës) në kuzhinë, e sa herë që vihej Gaqo, sipas mundësive, merrnim edhe ndonjë copë bukë për në shtëpi. Kemi pasur një shoqëri të sinqertë me të gjithë shokët. Kemi pasur shokë e shoqe skulptorë, piktorë, duke u bërë edhe model skulpturash apo pikturash të tyret. Edhe sot kur i takoj i kujtoj me nostalgji sepse ia kemi kaluar jashtëzakonisht mirë.

TCH: Përveç shoqërisë, kishte diçka tjetër përtej saj…?

Luiza Çako: Jo, absolutisht jo. Nuk bëhej fjalë sepse ishim shumë të rinj.

TCH: Kur filluan shkëndijat e para?

Luiza Çako: Në Rusi. Edhe atje me vështirësi, ndërsa më pas kur erdhëm këtu vazhduam disa kohë, fshehurazi. Por, prindërit e mi ranë dakord, edhe të tijtë po ashtu. Shumë shpejt bëmë edhe fejesën, në vitin 1962, në moshën 23-24 vjeçe. Ka koinciduar koha edhe kur luajtëm “Berberi i Sevijes” në fund fare të të cilit visheshim me të bardha, ndaj dhe unë përfitova nga rasti për t’i thënë që ashtu do vishesha kur të martohesha. Më pas erdhi martesa në janar dhe pikësynimi im ishte të bëja një fëmijë. E kisha ëndërr të madhe dhe, pavarësisht se më thoshin kujdes se do të të prishen format e trupit, nuk pyesja hiç por doja vetëm të bëja fëmijë. Në fakt gëzimi më i madh i jetës sime ka qenë kur u bëra nënë.

TCH: Si ka qenë Pirro si fëmijë?

Luiza Çako: Ka qenë i shkathët. Kështu nuk duket, por shkathtësinë e ka pasur në shkollë. Mund ta përshkruaj si tip të qetë dhe të sinqertë përgjithësisht, duke mos gënjyer kurrë. Megjithatë ne i kemi ndenjur në kokë dhe ka studiuar. Pianon nuk është se e kishte shumë qejf, por ishte i detyruar ta studionte dhe i bëri punë madje. Hyri në Lice edhe ai, shkoi për Kanto, jo për këngëtar por për kulturë në Universitetin e Arteve, siç i thonë tani. Studioi për dirigjent, edhe pse kishte qejf kompozicionin, por nuk ia dhanë atëherë, pa e ditur përse. Megjithatë të bësh dirigjentin është një kulturë e madhe, sepse e njeh literaturën botërore me imtësi. Ndërsa kompozicionin e bëri më pas 1 vit apo 2 në Paris.

TCH: Tre muzikantë në një shtëpi… Besoj se kanë qenë shumë të shpeshta bisedat për muzikën, për të mos thënë të zakonshme, apo për artin. Kritika ka pasur ndërkohë në punën e gjithsecilit, nga pjesa tjetër e familjes?

Luiza Çako: Po, thuajse gjatë gjithë ditëve. Kritika ka pasur, por në këtë prizëm: për shembull kur më jepnin role dhe unë thoja ky nuk bën. Ndërsa Gaqo më thoshte e ke gabim, bën sepse duhet bërë kështu e kështu… Ai më kritikonte mua shpesh për gjëra që nuk i bëja, ndërsa unë nuk kisha sesi ta kritikoja Gaqon. Sa i përket Pirros, mund të them se e kishte marrë në patronazh Gaqo, unë nuk përzihesha. Gaqon ngaqë e çmoja si muzikant, si tenor i mirë, e lija atë të fliste. Por diskutime të zakonshme ka pasur gjithnjë, ka edhe sot. Por e veçanta e Gaqos është diçka, kam 52-53 vjet me të, si nuk shau njëherë një njeri. Kurrë, nuk bëhet fjalë. Ne gratë shpesh flasim për shembull, çfarë flet, lere tani. Ndërsa ai kishte një karakter të çuditshëm.

TCH: Ka qenë gjithmonë neutral për të ruajtur balancat?

Luiza Çako: Po, madje në punë, ngaqë unë isha e shoqja, kur bëheshin mbledhjet e Këshillit Artistik për ndarjen e roleve, ai dilte jashtë. Thoshte është gruaja brenda dhe nuk dua të ndërhyj.

TCH: Mbase kjo ka qenë një nga çelësat e ruajtjes së marrëdhënies dhe profesionit, pa i përzierë bashkë…

Luiza Çako: Nuk përzihej fare, çfarëdo që të vendoste Këshilli, ajo do bëhej. Më thoshte mirë e ke edhe këtë, sepse në fund të fundit punë ishte kudo që të shkoja, çfarëdo që të bëja. Megjithatë, unë përgjithësisht kam bërë premiera, sepse më shkonin ato role që merrja.

TCH: Roli më i preferuar për Luizën? Ai që e ka lodhur më shumë dhe ai që i ka dhënë më shumë sadisfaksion?

Luiza Çako: Myzetën e kam qejf, se ishte fiks për mua. Më i dashuri për mua që më ka kënaqur jashtë mase ka qenë roli i Silvës, edhe unë vetë nuk e dija që do ta bëja ashtu. Ishte një eksperiment me mua, sepse s’kishim vënë ndonjëherë opera shqiptare. Ishte një eksperiment shumë i suksesshëm.

TCH: Ka qenë një djalë i pashëm dhe është ende, shumë i talentuar dhe i suksesshëm, në qendër të vëmendjes. Fanset e tij besoj se ishin të shpërndara në të gjithë Shqipërinë, nuk po flas për njerëzit që ka pasur afër… Si i ke përballuar? A ka pasur momente kur je ndierë keq, sepse të gjitha femrat e kanë të theksuar pjesën e xhelozisë?

Luiza Çako: Jo. Sinqerisht jo, absolutisht. Xheloze mund të bëhet njeriu, nuk ka dashuri pa xhelozi, por që të mendoja se mund të ikte me një tjetër, jo. Më parë nuk ka qenë si kohët e sotme, kur fansat shkojnë pas këngëtarëve, atëherë mbaronte shfaqja, vinin të uronin atje dhe secili shkonte në shtëpinë e vet. Por më kujtohet momenti kur erdhi për herë të parë Gaqo, ende nuk ishim fejuar, ishte koncerti i parë i tij dhe bëri të gjithë universitetin për vete. Dhe publiku që vinte më shpesh atëherë ishin studentët, të rinjtë dhe të rejat e universiteteve. Bëri “boom” kur erdhi Gaqo, sepse hapi një epokë të re kur erdhi nga Rusia. Kushedi sa fanse mund të kishte, por nuk i vija re këto gjëra, sepse ishin kohë të tjera. Po të ishim në kohët e sotme ndoshta mund të bëhesha edhe xheloze (qesh). Atëherë jo, edhe pse kishte xhelozira, nuk mund ta vrisja fare mendjen për gjëra të tilla.

TCH: Si është Luiza si mama? E ke përkëdhelur shumë Pirron?

Luiza Çako: Unë e kam përkëdhelur më shumë se Gaqo. Kam qenë toleranti karshi djalit, mirë ndoshta nuk kam bërë, por Gaqo ka qenë ai që duhej të ishte. Por, mamaja është mama, edhe sot ai të gjitha gjërat me mua i ndan. Nuk di nëse ka qenë përkëdhelje e mirëfilltë, por kur jep shpirtin për të përkëdhelje do ta quaja. Gaqo ka qenë disi i rreptë dhe ka dashur rregull të familje, shtëpinë nuk e konsideronte hotel. I thoshte Pirros merr leje kur dhe ku do të ikësh, sepse nuk kishte atëherë që të ikje në mëngjes dhe të ktheheshe në orën 15 pa e ditur prindërit se ku kishe qenë. Atëherë ka qenë në përgjithësi jeta e këtillë. Ka pasur më shumë rregull, madje edhe për t’u veshur ne artistët nuk mund të visheshim si të donim, pasi duhej të ishim shembull për të tjerët. Kishim shefen e kuadrit atëherë dhe na vinte me një metër të drunjtë për të matur gjatësinë. Sidomos baleti i shkretë, me gjithë ato vajza të bukura e të mrekullueshme, nuk i lejonte po ta kishte të gjatë, iu thoshte shko në shtëpi, shkurtoje, ose e ke të shkurtër, zgjate. Ne ishim të qendër të vëmendjes ndaj e kishim të detyruar të shkonim pas punës dhe vijës së përgjithshme.

TCH: Sido që të jetë, Pirro është një fëmijë që u rrit edhe në demokraci. Gjërat ndryshuan, jeta kishte tjetër ritëm…

Luiza Çako: Pirro u rrit tjetër gjë, ai 7 vjet ka qëndruar tek ime ëmë, ka marrë shumë prej gjyshit të vet, sepse babain e kam pasur shumë të edukuar. Ai kishte studiuar jashtë, 6 vjet në Francë; Zosimenë e ka bërë në Greqi, kështu që Pirro ka marrë prej tij. Edhe pse shkoja përditë atje, prapë 7 vjet u rrit me ata.

TCH: Je e përkushtuar shumë edhe me nipin.

Luiza Çako: Ah, me nipin… Kaq e përkushtuar, deri 12 vjeç e kam rritur me qejf të madh.

TCH: Prindërit tanë, apo brezi juaj Luiza, në përgjithësi i kanë vuajtur më shumë çfarë iu ka ndodhur fëmijëve, sesa fëmijët vetë në zgjedhjet që kanë bërë në jetë. Këtu e kam fjalën edhe për divorcin e Pirros me Invën… Nuk e di sa e keni vuajtur ju? Por në shumë raste është parë që prindërit kanë vuajtur më shumë sesa vetë çiftet që kanë bërë këtë zgjedhje…

Luiza Çako: Kjo temë është e ezauruar tashmë, por po të them dy fjalë. Më ka ardhur keq vetëm për nipin, pastaj për ata të dy… secili bën zgjedhjen e vet. Ata e dinë, ne nuk dimë gjë. Unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira, më kanë respektuar në maksimum. Isha jo vetëm e respektuar, por edhe e nderuar të them të drejtën. Por mua më ka ardhur keq vetëm për Antonin, sepse fëmijë. Megjithatë, ai gëzon respektin dhe dashurinë e nënës, sepse nënë në botë nuk bëhen dy, nëna është unike. Por edhe me të atin bëhet jashtëzakonisht shumë, për të mos përmendur veten time, sepse mua më ka në gojë në çdo gjë. Sa herë bëj diçka më thotë sa e mirë, kështu siç e bëje dikur. Është i edukuar shumë, nuk ka pretendime, pavarësisht gjendjes shumë të mirë ekonomike që ka. Shpesh më thotë faleminderit për gjithë këto gjëra të mira që na ke bërë, e merr pjatën dhe e çon në lavapjatë. E kam gëzuar atë deri 12 vjeç, më pas e lashë sepse prisha edhe shtëpinë time, plus që u plakëm. Edhe pse unë kisha fuqi, duhej të kujdesesha më shumë për Gaqon. Pushimet e dimrit i kalon këtu me të atin, për Vit të Ri, por dhe për pushimet e verës. Ose vjen ai këtu, ose shkon i ati atje. Tani ai është bërë burrë, studion në Londër, në shtator mbush 20 vjeç. Nuk është më fëmijë, është i zoti i vetes.

TCH: Ju ndërkohë e ndiqni karrierën e Invës?

Luiza Çako: Po, sa herë del në televizor e shikoj. E kam ndjekur që atje dhe nuk diskutohet kjo. Edhe tani kur del e shikoj me kënaqësi, sepse është mamaja e Antonit.

TCH: 45 vjeçe e keni lënë karrierën dhe keni dalë në pension, duke iu përkushtuar absolutisht Gaqos, familjes, Pirros, ashtu sikurse dhe nipit të vogël. Madje jeni edhe një amvisë e shkëlqyer…

Luiza Çako: Jam munduar. Por s’mund të flas më shumë për “Belulin” këtu (qesh). Thonin që dashuria te burri shkon nëpërmjet kuzhinës, por unë kam pasur mamanë që gatuante shumë mirë. Edhe sot kam fletoret dhe recetat e ruajtura nga nëna ime. Por edhe kur shkoja diku jashtë për të ngrënë, shijoja diçka që më ngelte në mendje dhe gjithnjë pyesja sesi e kishin bërë. Kush ka dëshirë mëson, por gratë shqiptare në përgjithësi janë shumë nikoqire. Janë të bukura dhe duhet me u var nga një medalje, sidomos brezit tonë dhe më vonë. Sot po e po, por edhe dikur kanë qenë të emancipuara dhe të mbajtura, për 1 majin apo nëpër dasma rregulloheshin në maksimum, pavarësisht mundësive të pakta. Me vështirësi, por të kuruara në maksimum. Ndërsa femrave të sotme, shyqyr që iu ka ardhur dita që të mbahen, sepse çdo ditë që kalon nuk të vjen më.

TCH: Të ka mbetur peng ndonjë gjë gjatë gjithë këtyre viteve? Njerëzit, sidomos kur bëhen gjyshër, fillojnë edhe bëjnë analiza, sepse e shohin jetën paksa në retrospektivë…

Luiza Çako: Jo. Jeta më ka shkuar shumë mirë, asnjë pishman për këtë, por vetëm një gjë: kisha dëshirë ta mbaroja shkollën jo në marrëdhënie pune për 5 vjet. Atëherë ma dhanë të drejtën të bëja shkollë, por njëkohësisht edhe punën. Nuk mund të shkëputesha nga puna, në një kohë që do të doja ta mbaroja për 3 vjet jashtë. Vetëm ajo më ka mbetur pishman. Por edhe ajo u kompensua, sepse pata fat, bëra gjithë ato role dhe për më tepër nga familja dhe fëmija kam qenë e kompletuar. Ndaj s’kam pishmane të tjera. Unë i kam dashur gjithnjë njerëzit, besoj se edhe ata më duan mua, të paktën me sa i kuptoj, por zakonisht kur i do ata ta kthejnë dashurinë.

TCH: Kishit kaq shumë dëshirë të bënit një fëmijë pas martesës me Gaqon, por jam kurioze t’iu pyes përse bëtë vetëm një?

Luiza Çako: Bëra vetëm një sepse nuk isha më në gjendje që të mbaja një fëmijë tjetër, sepse ishim tërë kohën nëpër turne. Pirron e kisha mësuar që të vogël me orar, nuk zgjohej asnjëherë natën. E mësova deri në 40 ditë duke ia shtuar orarin dhe nuk u ndiente natën. Unë atëherë punoja, ndërsa ai nuk zgjohej, pavarësisht se kishte njerëz që e ruanin. Madje edhe kur vinte Viti i Ri, na çonin nëpër turne, ndoshta edhe për kalitje, dhe mbërrije në shtëpi në datën 30. Çfarë të bëje më parë? Gjithë ato përgatitjet e fundvitit, sikur çfarë bënim, por ja që ashtu ka qenë atëherë. Pastaj duhet pasur parasysh që nuk janë kushtet e sotme, ne gatuanim atëherë me furnelë me vajguri, enët nuk i kishim inoks. Ndërsa fëmija do një njeri mbi kokë, ndaj vendosa kështu, por nuk jam bërë pishman pse e mbylla me një.

TCH: Jemi shumë pranë 8 marsit. Sot femrat kanë më shumë kushte teknologjike, por kanë disa vështirësi të tjera… Do të doje të jetoje në këto kohë? Jeta në fakt është më e vështirë në drejtime të tjera, nuk është më ai rregull i kohës suaj, ajo atmosferë apo ajo barazi. Sot gjërat janë shumë më të vështira…

Luiza Çako: Qejfi ma kishte të isha edhe njëherë e re, kjo nuk diskutohet. Në këtë drejtim, sot ka gjithçka për të jetuar mirë në moshë të re. Por, koha që na ka kaluar, ne e kemi shijuar, me festa ditëlindjes e me festa të shënuara gjatë vitit. Në fakt nuk kuptonim diferencime, sepse nuk dinim sesi mund të ishte ndryshe jetesa. Kjo është e keqja, sepse sot të gjithë shohim se çfarë është ndryshe. Por gjithsesi nuk jam pishman. Edhe do më pëlqente, edhe jo.

TCH: Nuk mjafton asnjëherë liria që kanë gratë, sidomos në një botë maskiliste. Çfarë do t’iu këshilloje grave që të kërkonin për 8 mars për veten e tyre?

Luiza Çako: Të jenë ato që janë në vetvete. Të mos ndryshojnë në karakter apo të mos kopjojnë. Të jenë vetvetja. Sepse shqiptari është me karakter, është një popull me vlera, edhe gruaja shqiptare për mua është e emancipuar dhe e zonja. Tashmë kanë të drejtat e tyre të bëhen biznesmene, të përfshihen në politikë, ndërsa atëherë i zgjidhnin gjithçka. Tashmë del në shesh të burrave për gjithçka.

Top Channel