Tiranë, alarmi fals për bombë, policia ndalon studentin nga Lezha

07/03/2015 00:00

Policia e Tiranës njoftoi shoqërimin e një të riu nga Lezha si personi që zotëron çantën e vendosur në afërsi të Parkut Rinia, që alarmoi forcat e policisë paraditen e kësaj të shtune.

Sipas policisë, studenti i vitit të II të në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, Bruno Pëllumbi është i zoti i çantës ngjyrë blu e lënë në afërsi të Parkut Rinia me shënimin “Mos e prek”, e cila për 60 minuta ngjalli panik në mes të kryeqytetit.

Policia e Tiranës u sinjalizua mëngjesin e të shtunës, përmes një telefonate në sallën operative për një pako të dyshimtë në zonën pranë Parkut Rinia. Uniformat blu mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes duke mbyllur një sërë biznesesh në afërsi të pakos dhe duke vendosur një perimetër sigurie.

Bëhej fjalë për një çantë blu sportive, që pas shpërthimit të kontrolluar nga forcat xheniere rezultoi të kishte  brenda gazeta e letra dhe asnjë lëndë shpërthyese. Policia thotë se është duke hetuar ngjarjen dhe në orët në vazhdim do të ketë të tjera detaje rreth saj.

Një ditë më parë, në zonën e njohur si “Brryli”, po në kryeqytet, policia çaktivizoi një sasi tritoli me fitil zjarr-përcjellës 2.5 metra të gjatë, të gjetur pranë qepenit të një biznesi, në katin e parë të një pallati.

Forcat xheniere, pasi kryen verifikimet, konstatuan se bëhej fjalë për lëndë eksplozive të llojit tritol. Ekspertët e njësisë antieksploziv e çaktivizuan sasinë e tritolit, që sipas policisë, ishte rreth 200 gramë.

Biznesi shërbente si pikë interneti dhe mësohet se pronari i dyqanit nuk ndodhet në Shqipëri. Sipas policisë, ai ka bërë para dy javësh një kallëzim për kërcënim dhe dyshohet se bëhet fjalë për një hakmarrje, pasi ky person ka pasur konflikte në kohën kur ndodhej në Holandë.

Top Channel