Doganat, komandohet zëvendësministrja e Financave, Beqiraj

07/03/2015 00:00

Pas dorëheqjes së Elisa Spiropalit, Qeveria ka komanduar zëvendësministren e Financave, Irena Beqiraj, në krye të Doganave.

“Që sot, drejtore e komanduar është zëvendësministrja e Financave, e cila nuk largohet nga posti i saj aktual. Administrata doganore ka bërë një hap të madh përpara, por hapa të tjerë, programe të tjera kemi dhe ambicia është shumë herë më e madhe”, tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

“Mendoj që ka shumë për të bërë, për të vendosur disa principe më moderne të menaxhimit dhe të qeverisjes së administratave Doganore dhe Tatimore. Mendoj që ka shumë akoma për të bërë, mbi profilet e riskut, sepse duam që këto dy administrata të funksionojnë dhe ta mbështesin punën e tyre, në një analizë moderne të riskut”, tha drejtorja e komanduar, Beqiraj.

Zoti Cani vuri në dukje një sërë rezultatesh, që sipas tij, doganat shënuan vitin e kaluar. Por i pyetur nga gazetarët, ai ka komentuar për herë të parë edhe për rezultatet e kontratës me ‘Crown Agents’.

“Ka edhe fusha ose veprime, të cilat mund të ishin bërë shumë më mirë nga të dy palët. Edhe Doganat, edhe ‘Crown Agents’, edhe ne, si Ministri Financash. Jemi në pritje të rezultateve më të mëdha, por edhe pritshmëria ishte më e madhe dhe për këtë pjesë të vitit”, tha Cani.

Performanca e Doganave, por edhe Tatimeve pritet të jetë vendimtare për qëndrueshmërinë e buxhetit këtë vit, risqet e të cilit janë rritur për disa arsye.

Qeveria parashikon rritje të fortë në të ardhurat krahasuar me një vit më parë. Por përballë rreziqeve të reja, FMN-ja duket se po bën presion për garanci shtesë, që buxheti të mos dalë nga parashikimet.  A do të ketë mes tyre dhe propozime për rritje të tjera taksash? Ministri i Financave e përjashtoi këtë opsion.

“Kemi reformën e pensioneve, reformën territoriale, reforma në energjetikë e shumë reforma të tjera. Të gjitha këto reforma ulin risqet, lehtësisht e ulin në mënyrë drastike, nevojën për ndërhyrje të reja në sistemin e Tatim-Taksave”, tha Cani.

 

 

Top Channel