Sulm terrorist në Mali, vriten 3 europianë

07/03/2015 00:00

Pesë persona gjetën vdekjen, tre prej të cilëve europianë nga një sulm i armatosur në një lokal nate në Bamako, kryeqytetin e Malit.

Korrespondenti i BBC-së thotë se një shtetas francez ka mbetur i vrarë në brendësi të lokalit së bashku me dy shtetas të malezë. Më pas një shtetas belg ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një granate të hedhur në drejtim të tij, e më vonë u mësua se një tjetër europian i plagosur nga breshëria automatike në lokalin e natës ka gjetur vdekjen në spital.

Sipas BBC autorësia e sulmit mbetet ende për t’u zbardhur, por dyshohet se bëhet fjalë për një vepër të radikalëve islamikë, pasi dëshmitarët thanë se autorët thërrisnin “Zoti është i madh” në arabisht (Allahu Ekber).

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë trupat franceze që ndodhen në vendin afrikan për të ndihmuuar autoritetet vendase në luftën disavjeçare kundër ekstremistëve islamikë që operojnë në veri-lindje të vendit.

Top Channel