7 Marsi, çdo ministër merr në patronazh nga një shkollë, Rama merr dy

07/03/2015 00:00

Kreu i Qeverisë, Edi Rama dhe ministria e Arsimit, Lindita Nikolla i
kanë uruar mësuesit për festën e 7 Marsit dhe u kanë kujtuar se misioni i
tyre është që të nxjerrin jo vetëm nxënës me rezultate të larta, por
edhe qytetarë të mirë.

“U uroj sot mësuesve, gëzuar 7 Marsin, duke u përulur për punën fisnike dhe plot pasion që bëjnë! Me gjithë skuadrën e ekipit qeverisës, ne do të jemi krah arsimtarëve për t’i bërë realisht shkollat qendra të komunitetit”, tha Nikolla.

Në mënyrë simbolike, çdo ministri iu dha çelësi i një shkolle, për të cilën ata duhet të kujdesen që nisma ‘shkollë komunitare’, të funksionojë.

“Vumë bazën e fortë të ‘shkollës, qendër komunitare’, ku nuk përgatiten vetëm nxënësit e mirë, po ku edukohen qytetarët e mirë, për të cilët ky vend ka dëshpërimisht nevojë. Pa pasur qytetarët e mirë, Shqipëria anëtare e BE-së është një ëndërr, që mund të mbetet një iluzion”, tha Kryeministri.

Rama, i cili do të përkujdeset për shkollën ’28 Nëntori’ në Vlorë dhe ‘Ali Demi’ në Shkodër tha se është e rëndësishme që nxënësit të mësojnë edhe mbi drejtimin e projekteve, por edhe mbi vlerat që duhet të ketë sporti në jetën e tyre.

“Secili prej këtyre kampionëve kanë marrë në patronazh palestrat e shkollave dhe t’u vihen në dispozicion prindërve dhe fëmijëve që duan të mësojnë basketbollin”, tha Rama.

Shqipëria, edhe pse ka akses ndaj fondeve që jep Bashkimi Europian, arrin të thithë një vlerë të vogël të saj, pasi nuk arrin të krijojë projekte, që mund të konkretizohen në vepra të rëndësishme për shoqërinë.

Top Channel