PD padit ministrin Tahiri në Prokurori

07/03/2015 00:00

Saimir Tahiri është paditur nga demokratët në organin e akuzës. Ata
kanë depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal për
ministrin e Brendshëm, me tre akuza: Shpërdorim detyre, pengim i
hetimeve dhe moskallëzim krimi në rastin e çështjes ‘Doshi’.

“Ministri i Brendshëm i ka kryer veprimet, jo si një shtetar, jo ashtu siç i takonte një shtetari të vepronte, por tamam si një shok i bandës, i cili ulet me njerëz me precedentë penalë, me njerëz që dyshohet se janë të porositur për të kryer një vrasje”, tha sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani.

Pavarësisht se aksioni opozitar i këtyre ditëve u përqendrua tek dorëheqja e Ilir Metës, i akuzuar nga Tom Doshi si porositësi i vrasjes së dy deputetëve, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, shprehu vetëdijen se dalja e së vërtetës së akuzës ndaj Kryeparlamentarit nuk është aq e lehtë, përkundër akuzës ndaj Saimir Tahirit.

“Do punë, përpjekje, përkushtim e cilësi në hetim për të provuar nëse është e vërtetë që kreu i Parlamentit ka porositur vrasjen e dy deputetëve, por është një hetim tërësisht formal nga pikëpamja e procedurës që duhet ndjekur për të vërtetuar që ministri i Brendshëm ka shpërdoruar detyrën, ka penguar zbulimin e së vërtetës, nuk ka kallëzuar krimin sipas detyrimit që ka”, tha Ristani.

Ai inkurajoi prokurorinë për të zbardhur të vërtetën, duke shprehur bindjen që, nëse ka vullnetin, mund t’i shmanget presionit dhe tensionit politik të krijuar nga kjo ngjarje.

Top Channel