Aeroporti i Gjakovës, Qeveria e Kosovës ende asnjë veprim për dhënien me koncesion

07/03/2015 00:00

Memoriali me krahun e aeroplanit të parë që është ulur në Aeroportin e
Gjakovës më 29 shtator 1999 është vetëm një ndër shumë kujtimet që kanë
lënë ushtarët italianë të NATO-s në Kosovë.

Ushtarët italianë të KFOR-it e kanë ndërtuar aeroportin ushtarak në komunën e Gjakovës menjëherë pas luftës, ndërsa vitin e kaluar, pasi përfunduan misionin paqeruajtës në Kosovë, vendosën që aeroportin ku i investuan rreth 30 milionë euro t’ia dhurojnë Kosovës.

I ndodhur në një pozitë të mirë gjeografike me perimetër prej 7 kilometrash dhe ku mjegulla zbret fare pak herë brenda vitit, Aeroporti i Gjakovës i plotëson të gjitha kushtet për t’u përdorur si aeroport civil.

Aeoporti i Gjakovës sot është një pistë e braktisur prej dy kilometrash, ku për vite me radhë janë ulur e ngritur dhjetëra aeroplanë ushtarakë, e ku nuk kanë munguar as raste të uljeve emergjente të avionëve civilë me defekt.

Aeroporti, i ndërtuar nga italianët, ka rreth 9 milionë euro vetëm pajisje teknike, ndërsa sipas punonjësve, ky aeroport ka edhe sistemin më të ri të navigimit.   

Por, prej mëse një viti që janë larguar italianët nga aeroporti dhe pasi Qeveria e Kosovës e ka shndërruar atë në ndërmarrje publike, sot atje punojnë vetëm shtatë teknikë, të cilët kujdesen me shumë besnikëri për ruajtjen e pajisjeve që i lanë si donacion italianët.

Nuk dihet edhe për sa kohë aeroporti i pashfrytëzuar do të mbetej larg vëmendjes, nëse nuk do të ishte një iniciativë e kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, për uljen në mes të shkurtit, në këtë aeroport të një avioni civil të nisur nga Prishtina.

Për kryetaren, vonesat në dhënien me koncension të këtij  aeroporti vetëm e ulin vlerën e tij dhe çojnë në degradim, siç ka ndodhur pak muaj më parë kur janë vjedhur kabllot prej bakri.

“Sipas asaj që tashmë është e ditur si kontratë e nënshkruar me koncesionerin në Prishtinë, Qeveria nuk mund të ndërmarrë hapa që do të mund ta dëmtojnë afarizmin e këtij koncesioneri. Përderisa, në Prishtinë nuk ka aktivitete ose nuk ka shumë shërbime kargo, do të thotë të ngarkesave të mallrave që kryhen, avio-kompanitë që fluturojnë lirë nuk operojnë në Prishtinë”, tha Kusari Lila.

Megjithatë, kryetarja e Gjakovës shpreson që Aeroporti i Gjakovës të kryejë operime që nuk e dëmtojnë atë të Prishtinës.

“Pra, janë tri aktivitete që ne besojmë mund t’i jepen koncesionarit të ri ose të dytë në Kosovë për aeroporte. Janë fluturimet kargo, janë avio-kompanitë që fluturojnë për udhëtime të lira, si dhe është operimi i shkollës për pilotët e rinj”, tha Kusari Lila.

Ndërkohë që Aeroporti i Gjakovës i plotëson të gjitha kriteret për operim, qeveria ende nuk e ka emëruar bordin për të si dhe nuk ka nisur asnjë procedurë për dhënien e tij me koncesion.

Top Channel