Basha: Ky, 7 Marsi më i keq për mësuesit

07/03/2015 00:00

Urimin për 7 Marsin, Lulzim Basha e ka shoqëruar me shqetësimet që, sipas tij, kanë mësuesit shqiptarë sot.

“Mësuesit shqiptarë janë sot nën një trysni të vazhdueshme nga qeveria, nën një pasiguri permanente që ka krijuar terror dhe ka hequr qetësinë e nevojshme që ata të ushtrojnë profesionin. Testimi i tyre, sipas tekave të qeverisë, nuk është gjë tjetër vetëm se një mjet për të larguar masivisht mësuesit nga puna, dhe për të krijuar vende për militantët e pushtetit”, Basha shkruan në Facebook.

Më tej, kreu i demokratëve thotë se në krye të drejtorive arsimore janë vendosur militantë partiakë pa asnjë lidhje me arsimin dhe me vlerat e edukimit. Basha sjell në kujtesë edhe rastin e korrupsionit dhe të favoreve seksuale që kërkonte ish-drejtoresha rajonale e Lushnjes, e cila ndodhet në gjykim për këtë çështje.

Kjo është vetëm njëra prej shumë të këqijave në sistemin arsimor, sipas kreut të opozitës.

“Prej gati dy vitesh paga e tyre nuk rritet. Prej dy vitesh ka vetëm marifete e mekanizma shtypjeje e shantazhi për të vështirësuar jetën e tyre. Prej dy vitesh nuk ka një investim të vetëm në insfrastrukturë e krijim kushtesh për të rritur cilësinë në mësimdhënie”, shton më tej ai.

Kreu i Partisë Demokratike e mbyll urimin me zotimin se opozita do të vijojë të jetë gjithmonë në krah të mësuesve.

“Ky është 7 Marsi më i keq për ta, por shqiptarët dhe mësuesit e tyre do të dinë ta ndalin të keqen”, mbyll Basha komentin e tij.

 

Top Channel