Reshje të dendura dëbore në Korçë

07/03/2015 00:00

Pavarësisht se tashmë ka hyrë stina e pranverës, jug-lindja e vendit sërish është zbardhur nga bora dhe temperaturat e ulta.

Një dëborë e pazakontë për stinën është regjistruar thuajse në gjithë Qarkun e Korçës, ku trashësia në zona të veçanta ka kaluar mbi 30 cm. Reshjet e nisura prej mesditës të së premtes kanë zgjatur për thuajse gjithë natën, duke sjellë edhe njëherë karakteristikat e një dite dimri.

Sipas të dhënave, në gjithë qarkun bora ka sjellë probleme në disa prej akseve rrugore, ku më problematikë kanë qenë akset Korçë -Ersekë dhe ai Korçë-Dardhë, ku ka qenë e pamundur lëvizja pa zinxhirë.

E njëjta situatë paraqitet edhe në rrugën Korçë-Voskopojë dhe në komunat e Vithkuqit, Lekasit dhe disa prej komunave të Ersekës. Megjithatë, si rrjedhojë e temperaturave normale bora ka shkrirë në pjesën më të madhe.  

Rikthimi i dëborës ka rikthyer edhe problemet e furnizimit me energji elektrike në disa prej zonave më të thella, ku sipas të dhënave, është duke u punuar për riparimin e tyre.

Top Channel