Banesat sociale, shtyhet miratimi i listës së qytetarëve

07/03/2015 00:00

Këshilltarët e majtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës kanë shtyrë
për mbledhjen e radhës miratimin e listës së qytetarëve, që do të
strehohen me qira në banesat sociale të ndërtuara në Shkozë.

Bashkia e kryeqytetit paraqiti një listë me 177 persona, që sipas saj, plotësojnë kriteret për t’u strehuar në këto banesa dhe më vonë lista të pasurohej me emra të tjerë, të cilët janë ende në fazën e plotësimit të dokumentacionit.

Në total, janë rreth 1970 persona, të cilët kanë aplikuar për t’u strehuar me qira në banesat sociale, por sipas nënkryetarit të Bashkisë Enno Bozdo, vetëm 177 prej tyre kanë merituar ta përfitojnë strehimin në këtë formë. Ndërkohë, në Shkozë janë gjithsej 385 apartamente dhe në Tiranë numërohen mbi 11 mijë të pastrehë të kategorive të ndryshme.

Ndonëse u debatua për kalimin e 177 emrave të parë, këshilltarët e majtë votuan që lista të pasurohej edhe me emrat e familjeve të tjera në nevojë. Nënkryetari Bozdo e ka konsideruar këtë si njëe tjetër veprim të së majtës për të bllokuar vendime të rëndësishme të Bashkisë së Tiranës, ashtu sikurse më parë janë bllokuar projekti i zgjatimit të Bulevardit, rehabilitimi i lumit apo edhe terminali multimodal i kryeqytetit.

Top Channel