Debitorët e energjisë, Çela: Nuk do të ketë afat tjetër pas 31 marsit

07/03/2015 00:00

Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela, inspektoi këtë të shtunë Zyrat e
Kujdesit ndaj Klientit, nga ku apeloi ndaj debitorëve të energjisë
elektrike për të përfituar nga skema e shlyerjes së detyrimeve.

“Siç e shikoni dhe vetë, pasi keni qenë dëshmitarë të radhëve pafund për të paguar dritat dhe për të lidhur aktmarrëveshje me OSHEE për pagesat me këste, si pasojë e afrimit të skadimit të datës 28 shkurt, sot që flasim situata duket e normalizuar.

Të dhënat për muajin shkurt flasin për një numër aktmarrëveshjesh në rreth 110 mijë, shifër kjo rekord. Kompania mori masa për të shtyrë afatin deri më 31 mars, për t’u dhënë mundësi të gjithë atyre që nuk e menaxhuan si duhet kohën. Por sot dua të ndalem pikërisht tek ky afat, te data 31 mars, e cila do të jetë e fundit”, tha Çela, gjatë një prononcimi për mediat.

Sipas tij, nuk do të ketë afat tjetër, “prandaj askush të mos e lërë në ditën e fundit të hyjë në marrëveshje me OSHEE për pagesat me këste dhe ulje me 80% të kamatës”.

Në ditët e para të këtij muaji janë lidhur rreth 6000 aktmarrëveshje mes debitorëve dhe OSHEE-së, numër ky që pritet të rritet, sipas z. Çela.

Ndërkaq, administratori i OSHEE u kujtoi bizneseve të bëhen pjesë e fushatës së re, për të paguar me këste detyrimet që kanë ndaj kompanisë. Deri më tani, janë lidhur 300 aktmarrëveshje midis bizneseve dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë.

Top Channel