Ukrainë, rebelët njoftojnë tërheqjen e armatimeve të rënda

07/03/2015 00:00

Rebelët pro-Rusë në Donetsk, në lindje të Ukrainës, deklarojnë se kanë larguar tërësisht armatimin e rëndë nga vija e frontit, siç parashikohet në marrëveshjen e armëpushimit.

Deklarata u bë nga drejtuesi i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut, Alexander Zakharchenko, i cili shtoi se pala ukrainase nuk ka bërë të njëjtin veprim.

Qeveria e Kievit nga ana e saj deklaroi se do ta tërheqë artilierinë e saj në fund të ditës së shtunë.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga evropianët dhe e nënshkruar në Minsk muajin e kaluar duket se qëndron, pavarësisht disa shkeljeve sporadike.

“Ne kemi tërhequr nga vija e frontit të gjitha armët me kalibër mbi 100 mm. Për fat të keq, Ukraina nuk ka bërë të njëjtën gjë”, deklaroi Zakharchenko.

Ndërkohë, vëzhguesit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë vazhdojnë të monitorojnë armëpushimin për të cilin u ra dakord në Biellorusi.

Të dyja palët pritet të krijojnë mes tyre një zonë të zbrazët, me distancë 50 kilometra nga vendndodhja e armatimeve me kalibër mbi 100 mm, 70 kilometra nga vendndodhja e sistemeve raketore dhe 140 km për raketat më të rënda.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se të paktën 6 mijë persona janë vrarë që nga nisja e konfliktit në lindje të Ukrainës, në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, prillin e kaluar, edhe pse bilanci real i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.

Ditën e premte, burime nga qeveria ukrainase thanë për BBC se besonin se ushtarët rusë ishin ende duke hyrë në vend.

Top Channel