LSI: Berisha të mësojë ligjet, moskallëzimi i krimit dënohet me burg

07/03/2015 00:00

Duke e lidhur me festën e 7 marsit, si ditën e mësimit, Lëvizja Socialiste për Integrim ia ka dedikuar mesazhin e saj ish-aleatit të dikurshëm në qeverisje, Sali Berishës, i cili sipas partisë së Ilir Metës duhet të mësojë më shumë mbi ligjin.

Tonet e LSI janë rritur ndaj ish-kryeministrit pas qëndrimeve të tij ndaj Ilir Metës për çështjen “Doshi”, për të cilën Berisha pohoi se kishte dijeni që 3 muaj më parë.

“Të gjithë e pamë dhe dëgjuam sesi para opinionit publik ai tha një deklaratë të kobshme, se e dinte prej tre muajsh që dy deputetë të Parlamentit do vriteshin dhe s’i bëri përshtypje fare”, deklaroi Ylli Manjani.

Për LSI, pohimi i Berishës për dijeninë e ngjarjes 3 muaj më parë ka dy mundësi. “Ose zoti Berisha e kish kurdisur vetë këtë histori dhe duhet të mbajë përgjegjësi, ose kishte kurdisur një histori sajese. Në çdo rast është kurdisësi, por në çdo rast standardi ligjor, neni 300 i Kodit Penal, ta mësojë Doktori, kishte dhe ka detyrimin për ta kallëzuar një krim dhe nëse nuk e bën këtë mban përgjegjësi penale dhe dënohesh me burg”, nënvizoi Manjani.

Por deri në këtë moment, për LSI, Sali Berisha duhet të mësojë së pari t’i përgjigjet organeve të drejtësisë, mësim që kjo parti thotë se ish-kryeministri nuk e ka mësuar kurrë, pavarësisht se ka pasur shumë raste për të qenë përpara saj. Ndaj, ftesa e LSI ndaj Berishës është shkuarja e tij të hënën përpara prokurorëve të Krimeve të Rënda.

“Ka shumë raste për të cilat ai njeri duhet të shkonte atje, por këtë herë bën mirë të shkojë vullnetarisht, sepse është me rëndësi që të mos shkojë tek mësimi numër 3, që të mos ia mësojë ish-kryetarja e Kuvendit se ç’do të thotë të të kapin prej zhelesh”, shtoi Manjani.

Top Channel