Durrës, “arrest me burg” ish-krerëve të portit; 230 mln lekë abuzim

07/03/2015 00:00

Me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit, gjykata e këtij qyteti ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Eduard Ndreu, ish-drejtor i përgjithshëm i Autoritetetit Portual Durrës dhe shtetasin Mehmet Borshi, ish-drejtor inxhinjerik në këtë institucion.

Dy ish-zyrtarët dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale “shpërdorim i detyrës” dhe “shkelje e barazisë në tendera”, me një dëm ekonomik që llogaritet në vlerën e 230 milionë lekëve të reja.

Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit, pas hetimit të zhvilluar nga Prokuroria e Durrësit, në bazë të një kallëzimi të bërë më parë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Në bazë të hetimeve të deritanishme, prokuroria ka ngritur dyshime për të paktën dy proçedura tenderuese, përkatësisht “kryerja e remontit të përgjithshëm të dy elektrovinçave” dhe “blerje e pjesëve të këmbimit elektrike, elektronike për elektrovinca 16-27 tonësh”.

Ndërkohë, prokuroria po vijon hetimet edhe për disa proçedura të tjera prokurimi publik nga ky institucion.

Top Channel