Samiti i BE në Rigë, ministrat diskutojnë për Ukrainën lindore

07/03/2015 00:00

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u mblodhën në ditën e dytë të takimit në kryeqytetin e Letonisë, Rigë. Kryefjala e bisedimeve ishte lufta në Ukrainën lindore.

Kjo, për shkak se faktet e fundit flasin për një marrëveshjeje paqeje që nuk po respektohet. Burime nga vendngjarja tregojnë se trupa të tjera ruse po vazhdojnë të hyjnë nëpërmjet kufirit lindor.

Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier tha se armëpushimi i Minskut është mbajtur deri diku, por ai pranoi se ka shkelje.

Ndërkaq, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini u shpreh se rritja e monitoruesve të OSBE-së në terren është domosdoshmëri, por kjo masë do të merret me shpresën se do të japë një garanci të madhe.

Sipas parashikimeve, pritet që deri në 1 mijë vëzhgues të mbërrijnë në lindje të Ukrainës, si dhe të sigurohen pajisje satelitore për të vëzhguar respektimin e paktit të paqes.

Më herët presidenti amerikan Barack Obama dha opsionin e dërgimit të armëve vdekjeprurëse në mbrojtje të Ukrainës, por kjo u kundërshtua me forcë nga disa udhëheqës evropianë, veçanërisht nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

Pavarësisht dëshmive të përditshme se mbështet veprimtarinë ushtarake të rebelëve, Moska mohon këtë akuzë dhe dërgimin e trupave ruse apo armatimeve në lindje të fqinjit të saj.

Ndaj për të neutralizuar situatën, samiti i Rigës i la Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë përgjegjësinë më të madhe për të çuar deri në fund këtë mision.

Top Channel