Qeveria greke mund të punësojë inspektorë taksash joprofesionalë, përfshirë këtu turistët, për të përgjuar evazorët fiskalë. Kështu të paktën thotë një dokument sekret, të cilit i referohen disa media ndërkombëtare.

Studentë dhe gra shtëpiake mund të përdoren gjithashtu si pjesë e një skeme për frenimin e evazionit, në të cilën mund të përfshihen kamerat e fshehta apo mjetet përgjuese.

Thuhet se kjo skemë do të jetë një prej ideve që Greqia do të prezantojë në takimin me ministrat e Financave të Eurozonës ditën e hënë.

Qeveria helene duhet t’i bindë ata se e ka seriozisht rrugën e reformave për të marrë ndihma të mëtejshme.

Liderët e Eurozonës dëshirojnë ta zgjasin ndihmën prej 240 miliardë eurosh për Greqinë deri në fund të qershorit, në këmbim të angazhimeve për reforma të mëtejshme.

Dokumenti sekret, i publikuar në media, që thuhet se i është dërguar nga ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis presidentit të Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, u zbulua nga “Financial Times” dhe agjencia e lajmeve “AFP”.

“Kultura e evazionit fiskal ka rrënjë të thella në shoqërinë greke. Autoritetet tatimore jo vetëm që kanë munges stafi, por janë të fokusuara në kontrollin e regjistrave, në një kohë që problemi shtrihet jashtë tyre”, thuhet në dokument.

Inspektorët informalë të taksave do të punësohen për detyra afatshkurtra, jo më të gjata se dy muaj dhe pa pasur mundësi të ripunësohen.

Ata do të futen në ambjentet e subjekteve që autoritetet dyshojnë për evazion fiskal, si klube nate dhe impiante mjekësore, dhe në bazë të udhëzimeve do të vendosin aparate përgjuese.

Top Channel