Boko Haram shpall besnikëri ndaj ISIS, CIA ngre dyshime

08/03/2015 00:00

Boko Haram, grupi terrorist islamik me bazë në Nigeri, është zotuar për besnikëri ndaj Shtetit Islamik, sipas një videomesazhi të publikuar gjatë së shtunës, që pretendohet të jetë prej udhëheqësit të këtij grupi, Abubakar Shekau.

Në videon në fjalë, folësi thotë se Boko Haram shpall “besnikërinë e tij ndaj kalifit të muslimanëve, Ibrahim ibn Aëad ibn Ibrahim al-Husseini al-Qurashi”, i cili është një ndër emrat e përdorur të udhëheqësit të ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi.

Jacob Zenn, një ekspert ndaj grupeve terroriste thotë se regjistrimi duket të jetë autentik. Ai shtoi se ndërkohë që shumë mesazhe të tjera kanë qenë të rreme, folësi në këtë video është vërtet Shekau.

“Bashkimi i Boko Haram me ISIS ka shumë kuptim për të dy grupet”, tha ai nga Abuja, Nigeri. “Boko Haram do të përfitojë kështu ligjshmëri, gjë që ndihmon atë në kryerjen e rekrutimeve të reja, përfitimin e financimeve dhe logjistikës, si dhe për t’u zgjeruar në Afrikën Perëndimore të banuar kryesisht nga frëngjishtfolës. Grupi terrorist nigerian do të përfitojë gjithashtu edhe udhëzime nga ISIS në lidhje me luftën mediatike dhe propagandën e terroristëve islamikë. Më parë, Boko Haram konsiderohej si një grup i dëbuar i komunitetit global xhihadist, ndërsa tashmë mund të konsiderohet si dega më e madhe e ISIS. Këto sa i përket përfitimeve të Boko Haram, ndërsa ISIS do të përfitonte në këtë mënyrë më shumë ligjshmëri si një kalifat global”.

Zenn tha se besnikëria mes dy grupeve do të jetë zyrtare kur të lëshohet të paktën një deklaratë nga një prej udhëheqësve të ISIS, si për shembull Abu Mohammed al Adnani.

Boko Haram ka pasur dy fraksione kryesore, njëra e udhëhequr prej Shekaut, ndërsa tjetra që përfshinte ish-anëtarë të Ansaru, një prej filialee të Boko Haram. Ansaru ka operuar nga viti 2012 si dega nigeriane e AQIM (al Kaeda në Maghrebin Islamik). Pas ndërhyrjes së udhëhequr prej forcave franceze në Mali, në vitin 2013, një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të Ansaru u riintegruan me Shekaun, thotë Zenn për CNN.

Megjithatë, parakusht për Boko Haramin që t’i bashkohet koalicionit me ISIS është bashkimi i këtyre dy fraksioneve në një të vetëm. ISIS ka mundur të ketë lidhje me ish-luftëtarë të Ansaru brenda Boko Haramit dhe ka ushtruar presion ndaj tyre që të unifikojnë edhe më tepër grupet.

Gjithsesi, nëse kthehemi pas në kohë, gjatë korrikut të vitit të kaluar Shekau shprehu mbështetjen e tij për ISIS, duke deklaruar një rajon të pushtuar në verilindje të Nigerisë si pjesë të kalifatit islamik. Por, ai lavdëroi gjithashtu edhe udhëheqësin e al Kaedës, Ayman al-Zaëahiri, sikurse edhe udhëheqësin e talebanëe, Mullah Omar. Shërbimet sekrete amerikane kanë shprehur dyshimet mbi jetëgjatësinë e këtij unifikimi.

Analizat e bëra nga CIA tregojnë se Boko Haram është një grup kryesisht afrikan dhe i ka rrënjët në praktikat islamike të këtij rajoni, edhe pse kanë interpretime fundamentaliste të ngjashme me Islamin. Ndërkohë që udhëheqësit arabë të ISIS dhe anëtarët e Shtetit Islamik tentojnë të kenë sjellje raciste kundrejt njerëzve me ngjyrë, të cilët duken të ndryshëm nga shoqëria prej nga kanë ata prejardhjen. Udhëheqësit e ISIS e shohin Shekaun si inferior, kryesisht për çështje racore, bëri të ditur CIA.

Top Channel