Vrasja e Nemtsov, 2 të arrestuar, një i tretë i ndaluar dhe i katërti i vrarë nga policia

08/03/2015 00:00

Njëri prej dy personave të ndaluar, me dyshimin se kanë vrarë figurën më të zëshme të opozitës ruse, Boris Nemtsov, ka shërbyer në njësinë policore të rajonit rus të Çeçenisë. Lajmi është bërë i ditur nga agjencitë ruse të lajmeve, të cilat kanë cituar fjalët e një zyrtari të agjencive të zbatimit të ligjit.

Nemtsov u qëllua për vdekje mbrëmjen e 27 shkurtit vetëm pak metra larg mureve të Kremlinit, në atë që konsiderohet si vrasja e figurës më të lartë të një opozitare gjatë 15 viteve të presidentit Vladimir Putin në krye të pushtetit.

Dy personat e arrestuar të shtunën në lidhje me këtë vrasje, Anzor Gubashev dhe Zaur Dadayev, priten të nxirren përpara një gjykate në Moskë këtë të diel, për t’u njohur zyrtarisht me masën e arrestit. Një reporter i “Reuters” jashtë gjykatës Basmanny bëri të ditur se ka pasur një numër shumë të lartë të pranisë policore të rreshtuar nëpër rrugë, si dhe në ruajtje të hyrjeve.

Dadayev ka shërbyer për rreth 10 vite në batalionin “Sever” të Ministrisë së Brendshme të Çeçenisë, është cituar të ketë thënë Albert Barakhayev, sekretar i Këshillit të Sigurisë në rajonin fqinj të Ingushetisë, nga agjencitë ruse të lajmeve.

Gubashev dhe Dadayev u ndaluan të shtunën në Ingusheti, ku disa anëtarë të familjeve të tyre jetojnë, sipas Barakhayev, i cili tha se edhe një i afërm i Gubashev është arrestuar, por ende nuk është konfirmuar nga zyrtarët që merren me hetimin e vrasjes së Nemtsovit.

Ndërkohë, ende nuk është bërë e qartë nëse Dadayev ka vijuar të ketë shërbyer në batalionin e sipërpërmendur, apo e ka lënë prej kohësh. Asnjë autoritet shtetëror nga Çeçenia nuk ka reaguar për konfirmim.

Çeçenia është një republikë kryesisht muslimane në kufijtë jugorë të Rusisë. Ajo ka qenë skenë e kryengritjeve të dhunshme separatiste përgjatë dy dekadave të fundit. Aktualisht është nën kontrollin e plotë të udhëheqësit të saj, Ramzan Kadyrov, një ish-rebel i cili tashmë është zotuar për besnikëri ndaj Moskës. Çeçenia ka një autonomi të konsiderueshme në drejtimin e rajonit, përfshi edhe shërbimet e veta të sigurisë.

Agjencia ruse e lajmeve, Interfax, ka cituar një burim të agjencive çeçene të zbatimit të ligjit, të ketë thënë se një person është vrarë pas përplasjeve me policinë në kryeqytetin çeçen, mbrëmjen e së shtunës, i cili në fakt ishte shpallur në kërkim nga policia në lidhje me vrasjen e Nemtsovit. Kur policia kishte shkuar në bllokun e apartamenteve të tyre, ata kishin hedhur një gradatë ndaj zyrtarëve, ndërsa me një të dytë kishin hedhur veten në erë.

Top Channel