Reagime të mëdha në skenën politike greke ka ngjallur lajmi se Gikas Hardhuvelis, ish-ministri grek i Financave në qeverinë e mëparshme Samaras, është një prej dhjetëra politikanëve që kanë çuar paratë e tyre në depozitat e bankave të huaja, në disa raste edhe duke mos i deklaruar fare ato.

Sipas gazetës së të dielës ‘Realnews’, për ish-ministrin konservator në fjalë ka filluar një hetim nga Prokuroria e cila ka kërkuar nga Parlamenti kontrollin e deklarimit të pasurive të tij në vitet e fundit pasi dyshohet për evazion fiskal. Në bazë të kërkesës për hetim në maj të vitit 2012, kur Hardhuvelis ishte këshilltar i ish-kryeministrit të përkohshëm Lukas Papadhimos, ka hapur një llogari bankare në bankën HSBC ku ka depozituar rreth 500.000 dollarë.

Pesë ditë më vonë, brenda nëntë ditëve që pasuan në periudhën midis dy fushatave zgjedhore, ai ka bërë 56 pagesa në të njëjtën bankë me shuma deri në 9800 euro në mënyrë që t’i shmangej kontrollit bankar. Sipas gazetës, në shënjestrën e organeve greke në kuadrin e luftës ndaj evazionit fiskal ndodhen edhe depozita të politikanëve grekë të tjerë në bankat e huaja me vlerë mbi 10 miliardë euro.

Gazeta tjetër “Parapolitika” ka publikuar një listë me emrat e 38 politikanëve grekë, midis tyre ish-kryeministra, liderë të partive, ministra në detyrë ose jo, si dhe shumat e disa prej depozitave të tyre bankare në bankat e huaja. Midis emrave që bien në sy janë ato të ish-kryeministrit Lukas Papadhimos dhe Kostas Simitis, liderit të PASOK-ut, Evangjelos Venizellos, ish-ministres së Jashtme Dora Bakojanis etj.

Publikimet për depozitat e politikanëve jashtë shtetit vijnë në një moment kur në Greqi po zhvillohet gjyqi ndaj ish-ministrit të Financave në qeverinë Papandreu, Jorgos Papakonstandinou, në lidhje me listën e shumëpërfolur “Legarde”. Sipas akt-akuzës, ish-ministri ka hequr nga lista me 2062 emra depozituesish nga qarqet politike dhe mediatike të Greqisë në bankën HSBC emrat e tre të afërmve të tij për t’ju shmangur evazionit fiskal, ndërsa edhe për të tjerët, përgjatë detyrës së tij nuk është kryer asnjë kontroll nëse ishin evazorë apo jo.

Vlerësohet se edhe jashtë qarqeve politike, në Greqi ekziston një evazion fiskal tepër i madh edhe nga bizneset e vogla dhe të mesme që përllogaritet në mbi 30 miliardë euro. Në këtë kuadër vjen edhe propozimi i shumëpërfolur i ministrit aktual të Financave, Varufakis, ndaj huadhënësve për të punësuar përkohësisht inspektorë tatimorë amatorë, si turistë, studentë dhe amvisa të pajisur me kamera të fshehta dhe pajisje përgjimi, si pjesë e një skeme për të denoncuar shmangien e taksave dhe mashtrimet financiare.

Top Channel