Kur projektligji për hapjen e dosjeve sapo ka nisur të diskutohet në komisionet parlamentare, kamera e Top Channel-it ka hyrë për herë të parë në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, ku ruhen në sekret të plotë mijëra dosje. Si ka funksionuar Sigurimi i Shtetit gjatë periudhës së diktaturës komuniste? A duhet të hapen dosjet e bashkëpunëtorëve? A është gati Shqipëria për hapjen e këtyre dosjeve?

Partia shtet e Enver Hoxhës kishte në duar një armë të fortë: Sigurimin e Shtetit. U ndërtua në fillim sipas modelit jugosllav e më pas i trajnuar nga këshilltarët sovjetik, Sigurimi, ose “maja e shpatës” së klasës punëtore, sikurse e quante diktatori, krijoi një rrjet kolosal informativ, që shtrihej në çdo qelizë në krejt vendin.

Njerëz të trishtuar, të detyruar përballë presionesh të tmerrshme, por edhe spiunë pasionantë, karrieristë, i raportonin përditë “Vëllait të Madh” mbi atë çfarë thuhej dhe madje çfarë mendohej ndër shtëpitë e shqiptarëve.

Dosjet e Sigurimit të Shtetit ndodhen në repartin 190 në Tiranë. Për herë të parë, Top Channel ka mundur të filmojë të gjitha dosjet e Sigurimit të Shtetit, për të cilat është folur dhe do të flitet gjatë. Kamera jonë ka shkuar në Fondin numër 1, aty ku ndodhen dosjet hetimore gjyqësore. Bëhet fjalë për 14 mijë dosje të ndodhura në atë ambient, në të cilat është shkruar jeta e përgjuar e të gjithë personave, të cilët kanë dashur të arratisen, që kanë bërë agjitacion, propagandë për atë periudhë kohore, dhe që janë arrestuar, pasi ishin në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e shtetit të diktaturës. Dosjet, të cilat ndodhen në këto ambiente e që janë dosje hetimore gjyqësore, do të hapen.

Por si u rekrutuan agjentët e Sigurimit në terren?

“Ata që punonin, jo gjithnjë ishin njerëz përbindësha, ishin edhe njerëz me kapacitete, kuptonin, kishin mendjen e tyre dhe nuk bëheshin robotë, por ishin të detyruar. Gjithsesi, kishte edhe të tjerë që e bënin këtë punë me një zell të paparë”, thotë Prof. Dr. Nevila Nika.

“Në qoftë se ne do i hapim të gjitha këto në publik, edhe ata që janë do të largohen, do të bëhen joaktivë. Asnjë lloj sistemi në botë nuk ka ekzistuar dhe nuk do të ekzistojë pa rrjet informativ”, thotë Adnan Gega, ish-oficer i Sigurimit.

Për më tepër, ndiqni “Exclusive”, sonte në mbrëmje ora 20:05, “Syri i madh, hapja e dosjeve”, pjesa e dytë…

Top Channel