Berat, dërgohet për gjykim kreu i komunës Perondi

08/03/2015 00:00

Prokuroria e Beratit ka dërguar për gjykim kryetarin e komunës Perondi, Rexhep Hajdarin, i akuzuar për veprën penale “shpërdorim i detyrës”, si edhe katër shtetas të tjerë, të akuzuar për “falsifikim dokumentash”. Të gjithë personat e akuzuar janë hetuar në gjendje të lirë.

Në bazë të hetimit të Prokurorisë së Beratit, nisur pas kallëzimit të një shtetasi, rezulton se Hajdari, në cilësinë e kryetarit të komunës Perondi, i ka shitur disa sipërfaqe toke shtetasve Elmas Mema, Mylaim Pire, Refat Pire dhe Barjam Putro, të cilat rezultonin në pronësi të kallëzuesit.

Nga hetimi ka rezultuar se kryetari i komunës, pavarësisht se kjo sipërfaqe toke ishte njohur me vendim gjyqësor në emër të kallëzuesit, e ka konsideruar si hapësirë publike dhe ua ka shitur këtë shitur këtë truall 4 shtetasve. Këta të fundit, pasi ZVRPP Berat nuk ua ka njohur blerjen për efekt regjistrimi në hipotekë, për shkak se ajo ishte regjistruar në emër të kallëzuesit, kanë falsifikuar dokumentacionin, duke u bërë pronarë me dokumenta të rremë.

Për këtë arsye, Prokuroria e Beratit ka ngritur akuzë ndaj 5 shtetasve: për kryetarin e Komunës për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa për 4 të tjerët, për veprën penale “falsifikim i dokumentave”.

Top Channel