Zhdukja misterioze e MH370-s, hetimet: Asnjë ndryshim sjelljeje dyshues për ekuipazhin

08/03/2015 00:00

Një raport paraprak i hetimeve për rrëzimin e avionit të fluturimit MH370 të “Malaysia Airlines” bën të ditur se bateria e pishtarit sinjalizues për vendndodhjen, pjesë e regjistruesit të të dhënave të avionit, kishte skaduar mbi një vit përpara zhdukjes së tij.

Raporti i publikuar këtë të diel tregon se nuk ka pasur asnjë provë që të sugjerojë se bateria ishte zëvendësuar dhe, pavarësisht se një bateri e tillë mund të operojë edhe pas datës së skadencës, “ajo nuk mund të garantojë mirëfunksionimin e saj apo përmbushjen e kërkesave minimale për 30 ditë funksionim”. Ndërkohë që bateria në të ashtuquajturën “kuti e zezë”, apo regjistruesin e zërit të pilotit, është zëvendësuar sipas programimit dhe ka qenë brenda datës së skadencës, thuhet në të.

Ndërkohë, sa i përket personave në bord, raporti shton se nuk është vërejtur asnjë sjellje e pazakontë mes pilotëve, anëtarëve të ekuipazhit të avionit të “Malaysia Airlines”, përpara sesa të zhdukej plot një vit më parë.

“Nuk ka pasur asnjë shenjë izolimi social, ndryshimi sjelljeje apo interesash, apo vetëneglizhim, përdorim ilaçesh, abuzime drogërash apo alkooli, qoftë për kapitenin, zëvendësin e parë, apo ekuipazhin e kabinës”, thuhet në raportin e përkohshëm për zhdukjen misterioze të avionit.

Raporti përmban më shumë fakte mbi avionin e zhdukur, më shumë sesa analiza për zhdukjen e tij, dhe iu është dorëzuar të afërmve të 239 personave të bordin e tij, duke mos u dhënë kështu një argumentin se përse avioni u zhduk papritur nga radarët. Në të thuhet se kapiteni i MH370-s, Ahmad Shah, nuk kishte ndonjë problem personal apo probleme financiare, të cilat mund të ngrinin dyshime ndaj tij.

“Aftësia e kapitenit për të përballuar stresin në punë, ashtu sikurse dhe në shtëpi, ishte shumë e mirë. Nuk ka pasur asnjë histori të njohur apatie, ankthi apo irritimi”, shkruhet në raport. “Gjithashtu nuk ka pasur ndryshime të theksuara në mënyrën e jetesës së tij, konflikte ndërpersonale apo strese familjare”. Hetuesit kanë shqyrtuar me kujdes edhe profilet e anëtarëve të tjerë të ekuipazhit, ndërsa kishin ekzaminuar edhe pamjet filmike të këtij ekuipazhi nëpër aeroporte, gjatë 3 fluturimeve të fundit të tyre, duke mos vërejtur asnjë ndryshim sjelljeje.

Top Channel