Milan, Inzaghi shumë pranë shkarkimit, emërohet Tassotti?

08/03/2015 00:00

Aventurës së Pippo Inzaghit në krye të pankinës së Milanit duket se i ka ardhur fundi. Këto ndoshta janë orët më vendimtare për të, teksa Silvio Berlusconi, i ndodhur në selinë e tij qendrore në Arcore, duket se po mendon seriozisht shkarkimin e tij.

Kuqezinjtë janë në “rënie të lirë” që prej shumë kohësh dhe, pas barazimit me Veronën në “San Siro”, që la një shije të hidhur për mënyrën sesi u pësua goli në 30 sekondat e fundit të kohës shtesë, presidenti duket i vendosur të “ndalë hemorragjinë” me një ndryshim pankine. Zgjidhja?

Sigurisht që do të vijojë të ndjekë historinë e së shkuarës, duke qenë një “i brendshëm”. Pikërisht Mauro Tassotti, i cili mund të ketë si ndihmës ish-mesfushorin Brocchi.

Aspak optimizëm në ambientet e klubit kuqezi, sidomos për të ardhmen e SuperPippos, i cili ka kaluar natën e tij më të “zezë” në histori pas vërshëllimave të “San Siro”-s dhe përplasjes në dhomat e zhveshjes me Gallianin.

Administratori i deleguar kuqezi është larguar nga stadiumi me një fytyrë të vrenjtur, shenjë se diçka nuk kishte shkuar si duhet dhe se shoqëria nuk është më përkrah trajnerit si dikur. Veç rezultatit duket se një figurë të keqe Inzaghi ka bërë edhe me ndonjë gabim në mënyrën sesi i bëri zëvendësimet, duke mos u pëlqyer veçanërisht ai mes Pazzinit dhe Bocchettit, për të mbrojtur rezultatin në 5 minutat e fundit.

Top Channel