Deputetet shqiptare mblidhen në Prishtinë, bashkë për 8 marsin

08/03/2015 00:00

Holli i Kuvendit të Kosovës si asnjëherë më parë është mbushur me gra politikane nga të gjitha trojet shqiptare.

Tradita e shënimit të ditës ndërkombëtare të gruas nga Tirana vazhdoi në Prishtinë. Por për herë të parë pjesë e një organizimi të tillë u bënë edhe anëtarët asamblesë komunale e aktivistë politikë nga Presheva, Bujanoci dhe Ulqini.

Entuziazmin në formën e saj e shprehu edhe deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, e cila kishte të veshur kostum me motive kombëtare.

Gratë politikane u pritën  nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili i shoqëruar nga bashkëshortja, i uroi ato për këtë ditë duke theksuar, se arsimimi cilësor i femrës është rruga më e mirë për t’ja mundësuar asaj përfshirjen në jetën politike dhe ekonomike.

“Gëzuar e urime, jo vetëm  8 Marsi, por edhe 364 ditë tjera për arsye se në shtëpinë time pushtetin e ka gruaja”, uroi Kaderi Veseli, Kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Seanca solemne u drejtua nga dy deputetet shqiptare më të vjetra në moshë, Arta Dade dhe Flora Brovina.

Krahas mesazheve për përfaqësim të barabartë gjinor, e prezantuar më së miri me pjesëmarrjen e vetëm një ministre, pasi dy janë gjithsej në kabinetin qeveritar të Kosovës, nuk mungoi qëndrimi se gratë nuk duhet të jenë indiferente në raport me ngjarjet në Ukrainë dhe Siri.

“Ne gratë nuk mund të jemi indiferente kur pranë rajonit tonë siguria është vënë në rrezik në lindje me ngjarjet në Ukrainë e ne jemi të pranishme atje edhe me zonja, në kuadër të OSBE-së, por edhe me atë çka ndodhë jo larg, në jug të rajonit tonë, ku ISIS po shkatërron vlerat e civilizimit nën pretekstin e mbrojtjes së Islamit. Raste të kufizuara të pjesëmarrjes së ushtarëve të huaj nga trevat shqiptare në këtë luftë çnjerëzore të terrorit e bën të domosdoshme artikulimin e zbatimit e politikave adekuate në mënyrë që krahas forcimit të legjislacionit, të rrisim sigurinë sociale ekonomike për të shmangur rastet e joshjes për shkak të varfërisë”, u shpreh Arta Dade.

“Mund t’ju them se Kosova ka qenë model i fuqizimit të grave, sidomos gjatë periudhës së çlirimit dhe pas luftës menjëherë ne jemi shembulli i parë që kemi vendosur pjesëmarrjen 30 përqind të grave në Parlament dhe ne nivelin lokal jemi bërë model për të gjithë rajonin, mirëpo ka një trend, i cili është negativ, kur gratë marrin pozitën në Parlament gratë qetësohen dhe po mbyllet dera në qeveri”, tha Edita Tahiri, ministre në Qeverinë e Kosovës.

Por për dallim nga Kosova, Shqipëria duket se e ka kaluar sfidën e rritjes së numrit të grave në pushtetin ezkekutiv. Deputetja Mesila Dode tha se tani se janë të përqendruara në ndryshimin e kodit zgjedhor.

“Tashmë, pas disa muajsh do të kemi zgjedhjet lokale dhe ne kemi kërkuar që në këshillat bashkiak të kemi mbi 40 përqind të grave dhe zonjave që duhen të jenë në këshillat bashkiak të ardhshëm, por edhe një rritje të numrit të zonjave që do të garojnë në 60 rrethet e Shqipërisë dhe kjo do të thotë jo thjeshtë rritje e numrit, por rritje e politikaneve të vërteta”, tha Mesila Doda, deputete e Kuvendit të Shqipërisë.

Përfaqësuesja nga Presheva, Albiona Ibrahimi kritikoi politikanët shqiptarë se kanë lënë pas dore Preshevën, duke përmendur këtu spitalin e lindjes, i cili nuk u realizua siç ishte premtuar. Ndërsa përkrahje për ndryshimin e pozitës së gruas në shoqëri kërkoi edhe anëtarja e komunës së Ulqinit, Hatixhe Gjoni.

Në seancën plenare që shënoi ditën ndërkombëtare të gruas morën pjesë ambasadorë të akredituar në Kosovë, por jo edhe gratë deputete të komuniteteve pakicë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Top Channel