Shqipëria, guri i fundit i pazbuluar. Ahmetaj: Këtë vit, rritje me dy shifra

08/03/2015 00:00

“Europe’s last unturned stone” ose “Guri i fundit i pazbuluar i Europës”. Kështu është prezantuar Shqipëria në Panairin Ndëkombëtar të Turizmit në Berlin.

Stenda e vendosur pranë fqinjëve të rajonit si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia apo Italia, tërhoqi vëmendjen e vizitorëve të interesuar për potencialin turistik që ofron vendi ynë.

Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, deklaroi: “Besojmë që interesi i shfaqur është shumë herë më i madh dhe besojmë gjithashtu që numri i turistëve këtë stinë do të ketë një rritje me dy shifra. Duhet të bëjmë më shumë për imazhin e Shqipërisë, për të afruar sa më shumë turizëm nga vende si Gjermania, Sllovakia, Çekia, Italia, Franca, apo vende të tjera që kanë një numër të madh turistësh dhe kanë një potencial shumë të madh për tregun shqiptar.”

Këtë vit, vendi ynë është prezantuar nga 18 operatorë turistikë në panair, dyfishin e një viti më parë, të cilët përcollën imazhin dhe promovuan vlerat turistike të Shqipërisë duke shkëmbyer eksperiencat me agjenci të tjera.

Sipas ministrit Ahmetaj, Shqipëria synon hap cilësor jo vetëm në rritjen e numrit të turistëve, por edhe cilësisë si dhe zgjerimin e hartës së shteteve nga ata vijnë. Po ashtu, synohet promovimi i turizmit malor, kulturor, krahas atij bregdetar, duke shtrirë ardhjen e turistëve në Shqipëri përgjatë gjithë vitit.

Top Channel