Basha: Në 12 mars të ndalim të keqen

08/03/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u bëri thirrje në mbrëmje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e 12 marsit kundër qeverisë “Rama”, që siç tha, e ka zhytur vendin në krim dhe mjerim.

Ai u shpreh se ‘ka nisur tashme numërimi mbrapsht për dyshen Rama-Meta’.

“Edi Rama dhe Ilir Meta nuk kanë ndërmend të ndalen vetë. Kur vrasjet e atentatet me tritol kanë tronditur sigurinë e çdo familje dhe i kanë bërë njerëzit me hije, Edi Rama dhe Ilir Meta rezultojnë sipas akuzave të bëra nga radhët e tyre, të përfshirë vetë, drejtpërdrejt në skema likuidimesh dhe larje hesapesh. Erdhën në pushtet me krimin, dhe çdo gjë që del prej duarve të tyre mban vulën kriminale. Le t’i tregojmë Edi Ramës dhe Ilir Metës çdo të thotë të tradhtosh popullin, të braktisësh qytetarët, të shtosh hallet dhe mjerimin e tyre, të bëhesh koka e krimit që terrorizon shqiptarët”

“Shqiptarët do ta ndalin të keqen. Po afron ora e drejtësisë. Të enjten e 12 marsit, në ora 11.00 nga sheshi “Skënderbej” të nisim së bashku marshimin tonë kundër krimit në krye të shtetit, kundër padrejtësisë, kundër varfërisë dhe papunësisë. Le të bashkohemi të enjten në sheshin “Skënderbej” pa dallime moshe, bindje politike, prejardhje krahinore apo sociale në një betejë pa kthim për rrëzimin e krimit në krye të shtetit, për rrëzimin e diktatit të krimit, për Shqipërinë e ëndrrave tona europiane”, ka thënë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Top Channel