Durrës, rruga pranë kishës merr emrin e Fan Nolit

09/03/2015 00:00

Rruga pranë Kishës Ortodokse në Durrës ka marrë emrin “Imzot Fan S. Noli” gjatë një ceremonie të veçantë përkujtimore. Me këtë rast, në kishën e Apostull Pavlit dhe Shën Astit u zhvillua mesha e cila u drejtua nga hirësi Nikolla, peshkop i Apolonisë, dhe më pas u zbulua pllakata me emrin e Fan Nolit.

Pas kërkesës së qytetarëve durrsakë që gjeti dhe mbështetjen e kishës ortodokse, Bashkia dhe Këshilli Bashkiak vendosën që rruga të mbajë emrin e patriotit të madh Fan Noli.

“Ishte një propozim i Kishës dhe i disa qytetarëve, të cilët i propozuan Bashkisë vendosjen e emrit të Fan Nolit kësaj rruge. Ishte një dëshirë e përbashkët e të gjithëve për t’i dhënë kësaj rruge shumë të rëndësishme emrin e një figure të tillë”, tha Vangjush Dako, kreu i Bashkisë së Durrësit.

Kisha Ortodokse e Durrësit dhe e gjithë Shqipërisë e vlerëson Fan Nolin si nismëtarin e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Me përkthimin e librave kishtarë kontribuoi në vendosjen njëherë e mirë të përdorimit të gjuhës shqipe në shërbesat fetare ortodokse.

At Spiro Kostoli tha: “Ai nisi misionin për t’i shërbyer Kishës Ortodokse Shqiptare dhe atdheut në datën 8 mars dhe e vazhdoi gjithë jetën e tij. Prandaj zgjodhëm këtë datë. Kjo rrugë ka një mesazh të rëndësishëm historik pasi lidh të shkuarën me të tashmen dhe të ardhmen.”

Më 8 mars 1908, në moshën 26-vjeçare, kleriku dhe patrioti i madh shqiptar Fan Stilan Noli u dorëzua prift dhe në 22 mars të po atij viti kreu meshën e parë në gjuhën shqipe.

Nderimi i kësaj figure emblematike në historinë e popullit shqiptar, që ishte edhe mitropolit i Durrësit, vjen edhe në 50-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, më 13 mars 1965.

Top Channel