PD braktis komisionin e ligjeve, kusht i pranisë dorëheqja e Metës

09/03/2015 00:00

Deputetët demokratë të komisionit të ligjeve nuk u bënë pjesë e diskutimit normal të projektligjeve në rendin e ditës.

Kërkesa e tyre, e pamiratuar nga mazhoranca, është ndërprerja e proçedurave në komision derisa kryetari i Kuvendit të paraqitet në prokurori si deputet i thjeshtë, njësoj siç bëri 4 vjet më parë kur dha dorëheqjen nga posti i zv/kryeministrit. Një pjesë e kësaj kërkese u citua nga nënkryetari demokrat Oerd Bykykbashi.

“Opozita kërkon që zoti Meta t’i drejtohet prokurorisë jo si numri dy i shtetit, por si deputet i thjeshtë që të mos ushtrojë asnjë lloj preisoni. Nuk mund të ketë punë të këtij Parlamenti sikur nuk ka ndodhur gjë”, deklaroi Bylykbashi.

Demokratët, përfshirë deputetin Mhill Fufi, e braktisën që në fillim mbledhjen, por ata nuk u ndoqën nga aleatët e tjerë opozitarë, anëtarë të komisionit.

Javën e kaluar demokratët dorëzuan mocionin për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, i cili sipas rregullores duhet të kalojë përmes këshillit të legjislacionit, që për koinçidencë drejtohet në këtë periudhë nga demokrati Eduart Halimi. Një fakt që kryetari socialist i ligjeve, Fatmir Xhafaj e përdori si argument kundër kërkesës së opozitës.

“Ajo që është institucionale është mbledhja e këshillit të legjislacionit. Nuk e mbledhin, sepse e kanë ata të drejtën dhe detyrën, dhe i kërkojnë komisionit të ligjeve të ndërpresë proçedurën normale. Kjo është tërësisht absurde”, deklaroi Xhafaj.

I pyetur nga Top Channel, zoti Halimi tha se do ta mbledhë këshillin në kohën e duhur, duke lënë të kuptohet se kjo do të ndodhë pas seancës së të enjtes, që koinçidon me protestën e thirrur nga Partia Demokratike.

Disa të rinj të paidentifikuar nga logo partiake kanë mbajtur një protestë simbolike para zyrave të Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar njësoj si opozita dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta.

Top Channel