Vrasja e Nemtsov, një nga të arrestuarit pranon përfshirjen

09/03/2015 00:00

Autoritetet ruse e kanë drejtuar gishtin tek 5 persona si të dyshuar për vrasjen e Boris Nemtsov. Pretendimet janë se të paktën njëri prej tyre, ish-komandanti i policisë çeçene Zaur Dadayev e ka pranuar tashmë përfshirjen në ekzekutimin e liderit të opozitës pranë mureve të Kremlinit.

Hetimet mbi të tjerët vazhdojnë, por Ilya Yashin, aleat i ngushtë i politikanit të vrarë shprehet thellësisht skeptik mbi këto lëvizje të Moskës.

Ai nuk është i bindur se dy personat e akuzuar për krimin, Zaur Dadayev dhe Anzor Gubashev, që të dy me origjinë çeçene, janë ekzekutorët e 55-vjeçarit dhe në thelb nuk beson aspak në skenarin e eliminimit nga radikalët islamikë.

“Nuk ma merr mendja se vrasësit e Nemtsovit kanë ardhur nga jashtë Rusisë. Ekzekutimi i tij ishte një akt i qartë terrori për të trembur shoqërinë. Besoj me forcë se organizatorët e kësaj vrasjeje janë këtu në Rusi, e madje brenda radhëve të qeverisë. Është shumë e rëndësishme që këta njerëz të gjenden e të dalin përpara drejtësisë, në të kundërt ekzekutimi i Boris Nemtsovit nuk ka për të qenë i fundit”, ka deklaruar Yashin.

Tre të dyshuar të tjerë janë në paraburgim, ndërsa një person i gjashtë u raportua të djelën se hodhi veten në erë gjatë një përballjeje me forcat e sigurisë në kryeqytetin e Çecenisë, Grozny.

Lideri çecen Ramzan Kadyrov, i njohur si mbështetës i Putin, e përshkroi Daedayevin si një mysliman të devotshëm, i cili u shokua thellësisht nga karikaturat e profetit Muhamed të publikuara nga revista satirike franceze “Charlie Hebdo”.

Hetuesit rusë e patën deklaruar më herët se po e shikonin edhe mundësinë që Nemtsovi të jetë hequr qafe për shkak të mbrojtjes që i bëri atij publikimi.

Top Channel