Edhe pse ndodhet më pak se 40 km larg qytetit të Librazhdit, Qarrishta është një nga fshatrat më të largët dhe të harruar të kësaj zone. Mungesa e infrastrukturës rrugore e izolon këtë fshat jo vetëm gjatë dimrit, kur bora kalon mbi një metër, por pothuajse gjatë gjithë kohës.

Të udhëtosh deri në këtë fshat duhet të kalosh përmes Parkut Kombëtar të Shebenikut, i cili për çdo vizitor është një mrekulli e natyrës, ndërsa për banorët e këtyre zonave do të thotë kilometra të tërë në një rrugë të shkatërruar, të cilën shumë pak mjete mund ta përshkojnë.

Duke udhëtuar me orë të tëra mes maleve, duket e pamundur që në këtë zonë mund të gjendej një fshat. E megjithatë, poshtë një mali shtrihet Qarrishta. 320 banorët e saj ndihen totalisht të harruar, ndërsa janë në gjendje të mjeruar.

Banorët tregojnë historitë dhe problemet e tyre, sfidat për të përballuar jetesën e vështirë mes maleve, pamundësinë për  të shkolluar fëmijët, për t’u kuruar, e ndërkohë kërkojnë që dikush të kujtohet për ta edhe kur nuk ka fushata.

Banorët e Qarrishtës e kanë të pamundur të jetojnë me bujqësi, për shkak të terrenit malor, ndërsa me blegtorinë ata munden vetëm të mbajnë frymën gjallë. Mungesa e infrastrukturës rrugore dhe izolimi sjell gjithmonë mjerim, ndërsa në këtë fshat edhe mjerimi i kalon kufijtë.

E gjendur pranë një Parku Kombëtar, ndër më të mëdhenjtë dhe më të bukurit në vend, kjo zonë ka perspektivën e zhvillimit turistik. Parku Shebenik-Jabllanicë ka një shtrirje më të madhe se 40 km, me një sipërfaqe prej 34 mijë hektarësh me pyje të dendura ahu, pishe të zezë dhe bredhi. Por ky park është shumë pak i vizituar dhe i njohur, për shkak të mungesës së infrastrukturës.

Top Channel