Cërrik, protesta për ndihmën ekonomike

09/03/2015 00:00

Qindra banorë të qytetit të Cërrikut kanë protestuar këtë të hënë përpara selisë së Bashkisë dhe Prefekturës, pasi prej disa muajsh janë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike.

Banorët shprehën indinjatën se janë pa asnjë të ardhur dhe e kanë të pamundur të ushqehen, ndërkohë që shumicës së tyre u është ndërprerë energjia elektrike dhe uji i pijshem për shkak të borxheve të akumuluara.

“Marr pensionin, iki paguaj dritat dhe kalamajtë mbeten pa bukë. Vëreni dorën në zemër për ne”, tha një banore.

“Ku është ky deputeti i zonës, ku e ka fytyrën”, reagoi e irrituar një tjetër.

Kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Servet Duzha i cilësoi të drejta protestat e banorëve, pasi nga verifikimet që janë bërë në terren gjendja e tyre ekonomike rezulton vërtet e rëndë.

“Nga verifikimi që kemi bërë rezulton se situata ekonomike e tyre është tejet e vështirë. Këto familje e kanë të domosdoshëm trajtimin me ndihmë ekonomike. Shumë nga to kanë lidhur kontrata me OSHEE-në dhe ndërprerja e ndihmës i penalizon”, deklaroi Duzha.

Cërriku, edhe pse një nga qytetet më të varfëra në vend me 15 mijë banorë, rreth 50% e të cilëve pa punë, është bërë pjesë e sistemit pilot të ndihmës ekonomike që po aplikohet në tre qarqe të vendit.

Top Channel